Koreja Veriore, vazhdojnë tensionet

2015-08-21 1

Tensionet priteshin të zbuteshin në Gadishullin Korean, por, në fakt po ndodh e kundërta. SHBA kanë vendosur në Japoni një avion spiun për të rritur survejimin në këtë rajon, pasi Koreja e Veriut dislokoi përreth bregdetit disa lëshues raketash. Përveç aeroplanit, shumë mjete të tjera ushtarake përgjuese pritet të vendosen në bazën amerikane ajrore të Misauas, në veri të Japonisë. Sipas gazetës japoneze, Sankei Shimbun, e cila citonte burime qeveritare nga Tokio, ushtria amerikane e kishte informuar Japoninë që muajin e kaluar për vendosjen e aeroplanit të saj. Plani ishte që aeroplani të sillej pas qershorit, por kushtet e tilla me Korenë e veriut, i kanë detyruar autoritetet amerikane ta sjellin atë para kohe. Një alarm i tillë i rritur, erdhi pasi Koreja e Veriut njoftoi ambasadat e huaja, se nuk mund të garantojë sigurinë e tyre, në rast të një lufte të mundshme. Siç njoftonte sot agjencia Italiane ANSA, ministri i jashtëm gjerman ka njoftuar se 'në këtë fazë' ambasada e tij do të vazhdojë të punojë, edhe pse vazhdon t'i vlerësojë herë pas here kushtet e sigurisë në këtë vend. Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, thoshte se 'Rusia është e shqetësuar për tensionet, edhe pse deri tani janë thjesht verbale. Ai kërkoi të kuptonte nëse Koreja e Veriut propozon apo mban qëndrim kur kërkon largimin e ambasadave, dhe në bazë të cilave arsyeve e kërkon një gjë të tillë. Sipas Britanisë, situata prapëseprapë nuk është aq dramatike, sepse akuzat i adresohen për momentin vetëm SHBA-së. Ndërkaq, nga Danimarka, turistët e sapo kthyer nga Peniani, thoshin në terren se situata është e qetë, dhe nuk kanë vërejtur mobilizim qytetar për një luftë të mundshme. Admir Qose