Asad: Jam gjallë dhe ndodhem në Siri

2015-08-21 2

Jam gjallë dhe jam në Siri, në sipërfaqe dhe jo në tunele strehimi. Kështu ka deklaruar në një dalje publike, presidenti i Sirisë Bashar Al Asad. Ai hodhi poshtë zërat e kryengritësve se ishte shpërngulur të jetonte në Iran, e më pas, gjoja i strehuar nga Rusia në një anije. Në një intervistë, Asad tha se nuk ka asnjë arsye të fshihet, edhe pse shumë zëra, javën e kaluar thoshin se Asad, mund të kishte rënë edhe viktimë e një komploti në pallatin presidencial, apo mund të ishte në arrati. Lidhur me krizën në vend, presidenti Asad tha se rënia e qeverisë së tij ose shpërbërja e Sirisë do të shkaktonte "efekt domino", që do të çonte në një periudhë të gjatë jo-stabiliteti në Lindjen e Mesme. Ai akuzoi vendet fqinje të Sirisë për armatosjen e rebelëve, ndërsa u zotua se ato do ta paguajnë shtrenjtë një gjë të tillë. Asad, po ashtu ka akuzuar kryeministrin turk Erdogan, se po punon me Izraelin "për të goditur Sirinë". Sipas presidentit të Rusisë Vladimir Putin, konflikti në Siri është shndërruar në një 'masakër' që duhet të ndalojë me bisedime paqësore. Ndërkohë, ministri i jashtëm i Italisë ka bërë të ditur se katër gazetarë të këtij vendi janë rrëmbyer në veri të Sirisë. Konflikti civil në Siri ka nisur në mars të vitit 2011. Sipas shifrave të OKB-së, mbi 70 000 njerëz kanë humbur jetën në dy vjet luftime. Admir Qose