Takimi i së hënës mes ndërmjetësit Metju Nimic dhe negociatorëve Jolevski e Vasilaqis do të jetë vetëm një tentativë për të mbajtur gjallë procesin negociator për çështjen e emrit, dhe asgjë më shumë! Kështu komenton për Alsat-M, analisti Denko Maleski. Kjo, sipas tij, vjen për shkak se vendi akoma është në fazën post-zgjedhore, ende pa dalë nga kriza politike, dhe se politika maqedonase për momentin nuk ka kapacitet të merret me propozimet e fundit të Nimicit të prezantuara në janar. Prandaj, në takimin e 8 dhe 9 prillit, propozimet vetëm do hapen e do mbyllen, pas asnjë përafrim qëndrimesh.
"Në këtë moment, nuk mund të pritet diçka thelbësore nga ky takim, pasi vendimet e jashtme politike në shumicën e rasteve varen edhe nga disponimi vendor. Për momentin, Maqedonia gjendet akoma në fazën zgjedhore dhe post-zgjedhore, në një krizë politike e cila zgjat që nga fundi i vitit të kaluar me ngjarjet në parlament, ku si pasojë, mungon dialogu elementar mes opsioneve politike. Prandaj që të pritet ndonjë lëvizje e fortë rreth kësaj çështje delikate dhe serioze, mendoj se nuk është e mundur por është një tentativë që të mbajë në jetë gjithë procedurën", tha Denko Maleski analist.
Maleski nuk pret zgjidhje të çështjes së emrit, në një të ardhme të afërt, edhe sikur negociatat të zhvilloheshin me intensitet si ato mes Kosovës e Serbisë, për shkak se për një temë të rëndësishme si çështja e emrit duhet të deklarohet kreu shtetëror, dhe të ketë konsensus politik nga të gjitha subjektet, në pozitë dhe opozitë.
"Tani për tani nuk shoh sinjale të tilla. Ndodhsha së pari duhet të shihet si do shërohet demokracia në Maqedoni, do të fillojë më seriozisht dialogu i brendshëm dhe pasi të tregojmë se ne dimë të bisedojmë brenda mes vete, për tema të vështira, atëherë do të jemi të aftë të bisedojmë me dikë jashtë. Në të kundërt, diplomatët do të kenë rolin e paravanit, pas të cilëve fshihet jo-vullneti dhe paaftësia e elitave politike, që të merren me këtë problem...Mendoj se dialog thelbësor nga tipi i atij që shohim tani mes Kosovës dhe Serbisë, është vështirë të kemi, sidomos tani", u shpreh Denko Maleski, analist.
Ndërmjetësi Nimic do të realizojë më 8 prill, takime kokë më kokë me negociatorët Jolevski dhe Vasilakis, ndërkohë që më 9 prill, do t'i ulë ata në tryezë të përbashkët. Epilogu nga raundi i ri i bisedimeve pritet të reflektohet në raportin pranveror të Komisionit Evropian, në bazë të cilit, shtetet anëtare, në Samitin e radhës të Këshillit të BE-së, do të vendosin nëse do t'i akordojnë apo jo Maqedonisë, datë për fillimin e negociatave. Gjyltene Rexhallari