Edhe një muaj pas arritjes së marrëveshjes politike mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së me ndërmjetësim të komisionerit Shtefan Fyle, ngërçi politik mbetet i pazgjidhur. Sipas të gjitha parashikimeve, Fyle, gjatë vizitës të së martës do të gjejë vendin pa një komision të formuar për ngjarjet e 24 dhjetorit. Nga Kabineti i Presindetiti Ivanov, i cili ishte ngarkuar për formimin e komisionit hetimor në bazë të marrëveshjes së 1 marsit mes palëve, akoma nuk kanë një përgjigje konkrete se kur do të fillojë me punë komisioni.
"Deri më tani u realizuan disa takime në nivel të Sekretarëve të përgjithshëm në të cilat u propozuan më shumë emra për kryetar, por për shkak të kredibilitetit të personave dhe të procesit, emrat e tyre nuk do të kumtohen. Procesi është në fazën finale dhe presim që Komisioni të formohet sa më shpejtë", deklaruan nga Kabineti i Presindetit Ivanov.
Mirëpo në kohën kur kanë mbetur edhe vetëm 10 ditë për fillimin me punë të Komisionit hetimor, siç mësojmë nga burime brenda LSDM-së palët nuk arrijnë dot konsensusin për të zgjidhur kryetarin e këtij organi hemitor. Deri më tani janë zgjedhur katër anëtarët e tij, Ljubomir Fërçkovski dhe Renata Deskovska nga LSDM-ja dhe Ilija Dimovski dhe Bllagorodna Duliq nga VMRO DPMNE-ja. Sipas marrëveshjes që kanë nënshkruar LSDM-ja dhe VMRO DPMNE-ja, kryetari i Komisionit duhet të jetë person i pavarur dhe me kredibilitet të pranueshëm për të dy palët, ndërsa propozime do të parashtrojnë të dy partitë pjesëmarrëse në komision. Nëse palët nuk arrijnë gjuhë të përbashkët rreth kreut të Komisionit brenda këtyre ditëve, atëherë e njëjta barë do t'i bjerë Fyles, i cili të martën do të zbret në Shkup, për të inspektuar arritjet në kuadër të Dialogut të Nivelit të lartë, por edhe realizimin e marrëveshjes politike të 1 marsit dhe procesin zgjedhor. Semra Jakupi