Rezoluta për Çamërinë, replika e fyerje ndërmjet Idrizit e Dules

2015-08-21 1

TIRANE- Rezoluta për Çamërinë nuk arriti të diskutohej siç duhej sot nga Komisioni i Jashtëm i Kuvendit të Shqipërisë, pasi situata precipitoi në kundërshti të ashpra dhe fyrje ndërmjet përfaqësuesve të minoritetit grek dhe atij çam, përfaqësuar nga Dule dhe Idrizi.

Me propozim të kryetarit të Komisionit, Fatos Bejës, diskutimi i Rezolutës u shty për diskutim të martën e ardhshme, pasi teksti të rishihej edhe njëherë nga relatorët Kadilli e Minxhozi dhe paraqitësi i saj, Shpëtim Idrizi.

Që në hapje të mlbledhjes, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka kërkuar të dijë: "Çfarë është kjo rezolutë dhe cila është baza ligjore, mbi të cilën po shqyrtohet?".

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka sqaruar se "Rezoluta është nismë ligjore, e bazuar mbi Kushtetutë".

Dule ka kundërshtuar shqyrtimin e saj, me argumentin se "rregullorja e Kuvendit ka ndryshuar dhe nuk e lejon një gjë të tillë".

Deputeti demokrat Fatbardh Kadilli, i caktuar relator i saj, ka kërkuar më tepër kohë për ta shqyrtuar, ndërsa nga PS-ja, relatori Qemal Minxhozi, tha: "PS-ja e ka vlerësuar në programin e saj politik, zgjidhjen e çështjes çame.

Situata ka precipituar me fyerjet e deputetit Tahiri të PDIU--së ndaj Dules me fjalët: "Jeni palaço"! Nuk jemi për procedurë këtu, mos thoni të njëjtat gjëra".

Idrizi i e ka kundërshtuar Dulen me fjalët: "Ju e kaloni etikën, se mbani mbi supe një genocid dhe i keni fshehur problemet, gjithmonë. Por ne nuk mund të bëjmë sikur harrojmë. Kjo çështje është sorollatur nëpër tavolinat e politikës. Ne nuk kërkojmë ndryshim kufijsh, por status minoriteti, që së paku të kthehemi në shtëpitë tona".

Deputetja socialiste Arta Dade ka sugjeruar që deputeti Tahiri t'i kërkojë ndjesë, kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe vazhdimin e diskutimit: "Kemi pasur dy muaj kohë për ta lexuar këtë rezolutë", shtoi ajo.

Tahiri është përgjigjur: "Kur Dule t'u kërkojë falje shqiptarëve për atë që u ka bërë shqiptarëve, atëherë do të kërkoj edhe unë". Pas këtyre fjalëve, Vangjel Dule është larguar nga komisioni duke thënë: "Kjo është sjellje rrugaçërie, faji është i këtij komisioni".

Deputeti socialist Qamil Minxhozi e ka anashkaluar situatën, duke hyrë në temë: "Ejani ta shqyrtojmë nen për nen, Rezolutën".

Nga ana e tij, deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa, është shprehur "pro" Rezolutës për Çamërinë, por ka qënë kundër përdorimit të saj elektoral. Pas debateve, kryetari i Komisionit e shtyu seancën e diskutimit për javën e ardhshme, duke lënë porosi, rishikimin e tekstit të Rezolutës për Çamërinë. (ad.ti/shqiptarja.com)