TIRANE - Shtrohet në spital pasi denoncoi rastin e saj në emisionin "Urbanika" në televizionin A1 REPORT, Merushe Shpata, gruaja e cila i është nënshtruar 8 operacioneve ndër vite, si shkak i infeksionit të marrë në spital pas operacionit për kancerin në kraharor.
Në pamundësi për të gjetur zgjidhje shëndetësore, 47-vjeçarja nga Tirana, iu drejtua emisionit "Urbanika" në datën 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ku kërkoi vetëm një të drejtë, atë të kurimit të plagës së saj të hapur në kraharor.
"Doktore të lutem do të vijë një grua që ka qenë te emisioni Urbanika, e cila ka shqetësime, po do të lutem ta prisni ju dhe ta shikojmë për të zgjidhur problemin", -është telefonata që drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero bëri ndaj mjekes përkatëse që do të merrte më tej rastin e Merushe Shpatës.
Pas urdhëresës nga drejtori i politikave në MSH, gazetarja e emisionit "Urbanika", Pranvera Bozhiqi bashkë me zonjën Merushe Shpata i drejtohen spitalit Shefqet ndroqi në Sauk.
Fadil Gradica, është mjeku që mori sot përsipër rastin e Merushë Shpatës, duke komunikuar me pacienten edhe në prani të kameras. Fadil Gradica është shef i Kirurgjisë Torakale pranë Senatoriumit të Tiranës. Mjeku shpjegoi se shtrimi në spital i 47-vjeçares, do të ndihmojë në kurimin e plagës së saj. "Nuk do të ketë më operacion ndaj teje"- i është drejtuar mjeku Gradica 47 vjecares. "Do të përpiqemi vetëm të të kurojmë me medikamente të posaçme që plaga nga operacionet të filloi gradualisht të mbyllet".
47-vjeçarja, nënë e 3 djemve, në vështirësi ekonomike, mezi mbahet në këmbë nga operacionet e shumta që ka kryer, por vitet e fundit ajo ishte lënë në neglizhencë nga ana e mjekëve. Kalvari i mundimeve të saj nisi pikërisht në Senatoriumin e Tiranës, pas operacionit në vitin 2003, si shkak i një kanceri në kraharor. Pas këtij operacioni Merushe Shpata, mori infeksion të rëndë pasi plaga iu la e hapur.
Bashkë me kancerin që i përsëritej, edhe infeksioni filloi ti shkatërronte ndër vite pjesë të kraharorit, duke bërë që kjo grua t'i nënshtrohej një kalvari të gjatë operacionesh, por pa mundur asnjëhere të shërohet.Sa herë që operohej, mjekët gjenin brinjë të kalbura në krahararoin e Merushes, të cilat ishin shkatërruar si shkak i infeksionit të marrë në operacionin e parë.
Edhe pse nuk ka garantuar se plaga do t'i mbyllet përfundimisht, mjeku Fadil Gradica shpjegoi se të paktën gjëndja e saj shëndetësore do të përmirësohet, duke ulur dhimbjet. (ad.ti/shqiptarja.com)