Blerja e votave, paditen 4 persona

2015-08-21 1

Ministria e Brendshme ka ngritur padi penale kundër katër personave të arrestuar nën dyshimin se kanë blerë vota për njërin nga kandidatët në Komunën e Tetovës. Vullnet Halilit, Amir Kasamit, Adnan Mustafës dhe Nikolla Timosievskit, të gjithë nga Tetova, u është caktuar masa e paraburgimit 48 orësh.

"Menjëherë pas zbulimit të rastit, Sektori i MPB-së në Tetovë arrestoi katër persona të cilët dyshohen për vepër penale 'ryshfet gjatë zgjedhjeve'. Gjykatësi hetimor si masë për sigurimin e katër personave të dyshuar iu shqiptoi paraburgim prej 48 orësh për shkak të dyshimit se këta persona kanë kryer vepër penale 'ryshfet gjatë zgjedhjeve", tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Kotevski tha se katër personat e arrestuar, u kanë dhënë nga 10 euro 175 qytetarëve në Tetovë
për të nënshkruar iniciativë të noterizuar për ringjalljen e PPD-së. Pas nënshkrimit, atyre u është thënë se PPD-ja ka koalicion parazgjedhor me njërën nga partitë që do të garojnë në rrethin e dytë zgjedhor në Komunën e Tetovës, dhe nëse votojnë për njërin prej kandidatëve, do të marrin edhe nga 10 deri në 20 euro të tjera.

"Persona nga Tetova kanë qenë të joshur që të nënshkruajnë iniciativë për ringjalljen e PPD-së. Për këto nënshkrime në këtë iniciativë, sipas informatave që kemi, u janë paguar nga 10 euro. Pasi që qytetarët janë nënshkruar në këtë iniciativë, është kërkuar nga ata, që në kuadër të ndonjë bashkëpunimi parazgjedhor, të përkrahin njërin nga kandidatët të cilët do të garojnë në rrethin e dytë për kryetar të Komunës së Tetovës. Premtimi ka qenë se pas përkrahjes do tu jepen edhe nga 10 deri 20 euro", u shpreh Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Kotevski tha se Ministria e Brendshme posedon informata se për cilën parti politike janë blerë votat, por për shkak të vijimit të fushatës parazgjedhore, tani për tani nuk do të publikojnë informacione të tilla. Benjamin Arifi