BURREL - Rënia e masivëve të dheut dhe shkëmbinjve pranë hyrjes së tunelit të Shkopetit bllokuan mbrëmë për 2 orë aksin Tiranë-Mat-Dibër, duke izoluar në këtë mënyrë gjithë qarkun e Dibrës. Masivët shkëmborë e bënë të pamundur kalimin e automjeteve pasi tuneli, i gjatë rreth 6 metra dhe nyja lidhëse kryesore për këtë aks nacional ishte bllokuar plotësisht. Ngjarja ndodhi rreth orës 21;00 dhe zhbllokimi i rrugës u bë i mundur rreth orës 23:00 falë fadromave të Forcave Xhenio dhe të ndërhyrjes së policisë së rrugore. Qytetarë të shumtë telefonuan mbrëmë në redaksinë e Shqiptarja.com për të raportuar se prej orësh gjendeshin të bllokuar dhe bënin apel instancave përkatëse që të vihen në lëvizje, pasi sipas tyre deri në atë orë askush nuk i kishte ardhur në ndihmë. (ad.ti/shqiptarja.com)