VMRO DPMNE dhe BDI fitojnë bindshëm në zgjedhjet lokale

2015-08-21 1

VMRO DPMNE dhe BDI janë fitues të zgjedhjeve lokale të vitit 2013. Rezultatet e shpallura nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor tregojnë për fitore bindëse të dy partive në pushtet, të cilat kanë rritur dallimin në vota ndaj rivalëve të tyre opozitar në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2011. Sipas rezultateve jozyrtare, VMRO DPMNE-ja ka fituar 403 193 vota, kundrejt 288 415 të LSDM-së. Në bllokun politik shqiptar, partia shqiptare në pushtet ka mbledhur gjithsej 134 690 vota, PDSH 76 934 dhe RDK-ja 28 369, bazuar në votat për listat e këshilltarëve në nivel republikan. BDI-ja ka fituar gjithsej 8 komuna që në raundin e parë; konkretisht Kërçovën, Dibrën, Çairin, Sarajin, Likovën, Zhelinën, Bogovinën dhe Pllasnicën. Në raund të dytë do të garojë në Tetovë, Gostivar, Haraçinë, Studeniçan, Tearcë, Vrapçishtë, Bërvenicë dhe Dollnen. PDSH-ja dhe RDK-ja nuk kanë fituar asnjë komunë në raund të parë. Në raundin e dytë, PDSH-ja do të garojë për komunat e Tetovës, Strugës, Vrapçishtit, Tearcës dhe Studeniçanit, ndërsa RDK-ja në Gostivar. VMRO DPMNE në raundin e parë fitoi 25 komuna, ndërsa LSDM-ja vetëm 5. Për Qytetin e Shkupit në raund të dytë do të garojnë kandidatët e VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së. Në këto zgjedhje lokale votuan gjithsej 1 147.993 qytetarë, ose rreth 67% e atyre me të drejtë vote. Benjamin Arifi