Bashkimi demokratik për Integrim pranon humbjen në Komunën e Strugës dhe bën thirrje që elektorati i BDI-së në raundin e dytë zgjedhor që do të mbahet pas 14 ditësh, të dalin sa më masivisht dhe të mbështesin kandidatin e PDSH-së Ziadin Selën. Këtë qëndrim, e bëri dje vetë kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Nga ana tjetër, kandidati Arben Labenishti realizoi një takim me kundër-kandidatin e tij nga radhët e PDSH-së, Zijadin Selën, për t'i ofruar mbështetjen e tij për raundin e dytë.
"Me këtë rast kandidatit të mundshëm për kryetar të Strugës në raundin e dytë ne do t'i urojmë sukses dhe shfaqim gatishmërinë tonë dhe thërrasim elektoratin tonë masivisht të dal në zgjedhje në përkrahje të kandidatit PDSH-së për Komunën e Strugës", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Tani, garën për qytetin e Strugës në raundin e dytë do ta vazhdojnë kandidati i PDSH-së Ziadin Sela dhe ai i VMRO DPMNE-së, i mbështetur edhe nga LSDM-ja, Vlladimir Koçovski. Kandidati maqedonas në raundin e parë fitoi 14 497 vota ose 41 %, ndërsa Sela i PDSH-së 11 414 ose 32 %. Bedri Rexhallari