Sot herët në mëngjes ministrat e Financave të Eurozonës aprovuan 10 miliardë euro kredi për shpëtimin e sistemit bankar qipriot. Me këtë, së paku deri tani, i është vënë fund krizës aktuale. Qiproja evitoi falimentimin, por ishte e detyruar ta sakrifikojë bankën e dytë më të madhe në vend, Laiki. Investimet kursyese nën 100 mijë euro nga kjo bankë do të transferohen në Bankën Qipriote, më e madhja në vend. Nga ana tjetër, depozitat më të mëdha se kjo shumë, do të ngrihen dhe do të përdoren në zgjidhjen e borxhit financiar. Sipas mediave të huaja, ata do të tatimohen me 30 për qind, me çka kursyesit do të pësojnë humbje të mëdha. Pritet që hapi i këtillë të vijojë pasi që gjatë ditëve paraprake Treshja evropiane, Fondi Ndërkombëtar Monetar, Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane u dhanë autoriteteve në Nikozi afat që deri sot të grumbullojnë 5.8 miliardë euro si garanci për aprovimin e kredisë prej 10 miliardë euro për shpëtimin e vendit nga falimentimi. Pushteti në Rusi lajmëroi se nuk është i kënaqur nga plani i këtillë shpëtimtar evropian për Qipron. "Sipas meje atje vazhdon grabitja e asaj që tashmë është grabitur", deklaroi sot kryeministri rus Dimitrij Medvedev në takimin me zëvendëskryeministrat. Ai theksoi se Rusia do t'i hetojë pasojat eventuale të cilat në këtë plan do t'i kishte mbi interesat e saj për shkak se pjesa më e madhe e parave që do të ngrihen, e më pas edhe të taksuara u takojnë oligarkëve rusë. Petar Bllazhevski