Aktorët e Teatrit Shqiptar në Shkup marrin pothuajse gjysmën e pagave në krahasim me kolegët e tyre maqedonas në teatrot e tjerë në vend. Aktori Bajrush Mjaku, së bashku me 24 kolegët e tjerë të teatrit shqiptar, kanë firmosur një peticion dhe ia kanë dërguar Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Financave, me qëllim që edhe ata të përfitojnë të njëjtën pagesë si pjesa tjetër e aktorëve. Sipas Mjakut, Teatri Shqiptar është institucioni i vetëm kulturor në Maqedoni, ku aktorët paguhen në bazë të një norme të trashëguar nga socializmi e quajtur 'UNR'.
"Prej majit të vitit 2006 kur është nënshkruar marrëveshja kolektive mes sindikatave të teatrove dhe Ministrisë së Kulturës i vetmi sindikata e Teatrit Shqiptarë të cilin e kanë udhëhequr punëtor të skenës dhe të cilët nuk kanë pasur leverdi si duket që të nënshkruajnë pasi e kanë parë se në të ardhurat personale të tyre nuk do të arrijnë atje ku dhe kanë synuar, nuk kanë firmosur marrëveshjen dhe prej atëherë ne kemi mbetur jashtë asaj çka do të thotë barabarësi me kolegët nga teatrot maqedonas, po as nga kolegët e teatrit turk të cilët kanë ditur të nënshkruajnë dhe nuk e dijë a kanë pasur sindikatë atëherë ose jo por që e kanë nënshkruar dhe ata sot gëzojnë paga të cilat ne as në ëndërr nuk mund ti shohim p.sh e ndajmë objektin, e ndajmë skenën, ndajmë terminët dhe të gjitha, por kolegët nga teatri turk po fillojë nga vetja pasi i dijë të ardhurat e mija personale, më ikë për 150 euro, kurse kolegët e teatrit maqedonas më ikin për 200 euro", tha Bajrush Mjaku -- aktor.
Edhe aktori Sefedin Nuredini thotë se nuk është e drejtë që paga e tyre të jetë sa gjysma, krahasuar me kolegët maqedonas, pasi të gjithë ushtrojnë të njëjtin profesion dhe paguhen nga e njëjta ministri dhe buxhet.
"Gjatë kohë ndjehemi të diskriminuar në çdo aspekt, jo vetëm në aspektin e pagave dhe në aspektin e programit, lokacionit dhe shumë aspekte tjera që janë bërë në investime për kulturën sidomos tani kur preket xhepi i personit, preket xhepi i aktorit. Jemi të diskriminuar jo vetëm unë dhe Bajrushi, por janë të diskriminuar të gjithë në këtë teatër, të gjithë aktorët pa marrë parasysh përgatitjes dhe nivelit të njëjtë që kanë me maqedonasit ata marrin paga gati të përgjysmuar", tha Sefedin Nuredini -- aktor.
Aktorët Bajrush Mjaku dhe Sefedin Nuredini por edhe 23 kolegët e tjerë të nënshkruar në peticionin e lartpërmendur apelojnë që Ministria e Kulturës dhe ajo e Financave të përmirësojë gabimin e udhëheqësisë së Sindikatës së Teatrit të tyre, e cila për kapriço të kryetarit të asaj kohe, 7 vjet më parë, nuk e kishte firmosur marrëveshjen kolektive. Aktorët e Teatrit Shqiptar thonë se për gjendjen e tyre do të informojnë të gjitha institucionet relevante në vend, përfshi edhe ambasadat e shteteve të huaja në Shkup. Valmir Kuçi