Fushata për zgjedhjet vendore të nesërme u mbyll mbrëmë, dhe nga mesnata, politika, institucionet e saj si dhe media, janë në heshtje zgjedhore. Megjithatë, sot, ashtu siç garanton kushtetuta, ushtruan të drejtën e votës të burgosurit në shtëpitë ndëshkuese dhe korrektuese, 1 mijë e 446 persona, si dhe votuan edhe 136 persona të cilët llogariten si persona të shpërngulur brenda vendit, si dhe persona në spitalet e vendit. Kryetari i kuvendit lokal zgjedhor në burgun e Idrizovës, Dragan Georgievski thotë se gjithçka votimi ka vijuar rregullisht dhe rezultatet do të dërgohen menjëherë pas numërimit nëpër të gjitha vendvotimet amë të tyre.
"Është bërë lista adekuate sipas personave që vijnë nga këto komuna, d.m.th pas votimit me urgjencë do të transportohen nga vendet edhe nga vijnë", tha Dragan Georgievski -- kryetar i kuvendit zgjedhor.
Drejtori i burgut të Idrizovës Zhivko Pejkovski thotë se nuk ndihet përgjegjës pse nga 1 mijë e 200 të burgosurit, të drejtë vote sot gëzuan vetëm 609 prej tyre.
"Ne i kemi liruar të gjithë të burgosurit që ishin në listë zgjedhore, rreth 1200 të tillë, pa shtetasit e huaj këtu, deri tek Ministria e Drejtësisë dhe ajo i derivoi tek Komisioni Shtetëror Zgjedhor, dhe pse sot kanë pasur të drejt vote vetëm 609, tek ata do të drejtoheni", tha Zhivko Pejkovski -- drejtor i burgut të Idrizovës.
Ndërkohë qytetarët të cilët kanë humbur ose nuk posedojnë letërnjoftim biometrik, mjeti i patjetërsueshëm për të ushtruar të drejtën e votës, nga MPB-ja informojnë se këta persona do të mund të pajisen me dokumente personale edhe gjatë ditës së sotme dhe të nesërme. Shërbimet juridike të MPB-së pranojnë kërkesat e qytetarëve nga ora 8 e 30 e mëngjesit deri në orën 16 e 30. Valmir Kuçi