Garë etnike në Kërçovë dhe Strugë

2015-08-21 3

Në zgjedhjet lokale të 24 marsit, Kërçova dhe Struga janë dy Komunat në të cilat do të zhvillohet garë etnike se kush do të drejtojë këto dy Komuna në katër vitet e ardhshme, kryetar shqiptar apo maqedonas. Shifrat zyrtare tregojnë se shqiptarët kanë përparësi në të dy komunat. Sipas të dhënave të KSHZ-së, në Strugë të drejtë vote do të kenë 56.341 qytetarë, nga të cilët 62% shqiptarë, 30% maqedonas dhe 5% turq, gjithmonë duke u bazuar në numrin e përgjithshëm të popullsisë. Sa i përket Kërçovës, të drejtë vote kanë 48. 075 qytetarë. 54% prej tyre janë shqiptarë, 36% maqedonas dhe 7% turq. Për shkak të numrit të madh të qytetarëve shqiptarë të Kërçovës të cilët përkohësisht punojnë në kurbet, rezultati për Kërçovën do të jetë i paparashikueshëm. BDI shpreson se mërgimtarët shqiptarë do të kthehen në vendlindje dhe të votojnë për kandidatin e vetëm shqiptarë për Kërçovën. Duke u bazuar në rezultatin nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2011, që të fitojë kandidati shqiptarë nevojiten edhe 4 mijë vota. Nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi tha për ALSAT M se në tërë territorin e Maqedonisë afër 2 mijë votues të rinj janë shtuar në listën zgjedhore të KSHZ-së, 330 prej të cilëve vetëm në Komunën e Kërçovës.

"Kërkesa për tu shkruar në Regjistrin Zgjedhor ka diku 1.781 persona të cilët kanë shfrytëzuar këtë të drejtë, meqë e kanë parë që nuk janë në regjistrin zgjedhor, dhe kanë të drejtën që të jenë në regjistrin zgjedhor. Prej atyre numri më i madh është në Komunën e Prilepit dhe Komunën e Kërçovës. Në Komunën e Prilepit janë diku 365 persona të cilët kanë kërkuar që të shkruhen në regjistrin zgjedhor, dhe 333 persona të cilët kanë realizuar të drejtën e tyre që të regjistrohen në Komunën e Kërçovës, dhe të tjerët janë në numër më të vogël", deklaroi Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Më 24 mars në mesnatë do të dihet kryetari i ardhshëm i Komunës së Kërçovës, pasi në këtë Komunë nuk do të ketë rreth të dytë zgjedhor. Kjo për faktin se për Kërçovën garojnë vetëm dy kandidatë Fatmir Dehari nga BDI dhe Bllagoja Despotovski nga koalicioni VMRO DPMNE--LSDM. Ndërsa në Strugë kryetari i Komunës pritet të zgjidhet në rrethin e dytë, për shkak se atje garojnë tre kandidatë dhe nuk pritet që ndonjëri prej tyre të fitojë shumicën e votave që në rrethin e parë zgjedhor. Benjamin Arifi