Koncesionerët 7.3 milion euro nga gërmimet

2015-08-21 4

Maqedonia arkëtoi vitin e kaluar gjithsej 7.3 milionë euro nga koncesionerët që kryejnë gërmime të lëndëve të para minerare. Pjesa më e madhe e shumës së arkëtuar, diku 5.7 milionë euro, përfunduan në arkat komunale, ku bëhet eksploatimi i lëndëve minerare, kurse pjesa tjetër është derdhur në buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave të Televizionit ALSAT, në Maqedoni ka 308 koncesionerë, më së shumti, të vendosur në Maqedonisë Perëndimore. Në këtë biznes, që po bëhet gjithnjë e më tërheqës --gërmohet kryesisht gëlqere. Guri gëlqeror më shumë gjendet në rrethinën e Gostivarit, dhe komuna grumbulloi vitin e kaluar vetëm nga pagesa e koncesioneve, 65 mijë euro. Në Dibër dhe në rajonin e Prilepit, më së shumti gërmohet gipsi, që është në formë shumë të pastër, dhe tepër fitimprurës për kompanitë e huaja. Mirëpo, koncesione për gërmime ka thuajse në çdo komunë. Megjithatë Televizioni ALSAT mëson se një pjesë të koncesionerëve rrezikojnë t'i humbin koncesionet. Sipas informacioneve, Ministria e Ekonomisë dorëzoi një njoftim për të gjithë koncesionerët që kanë borxhe të mbetura për kompensimin e koncesionit, dhe që duhet t'i shlyejnë ato brenda 30 ditëve. Afati skadon për disa ditë, dhe nëse borxhet nuk shlyhen, atyre do t'iu merren koncesionet. Problemi me pagesën e koncesioneve është i njohur prej vitesh, por nga Ministria e Ekonomisë thonë se gjatë dy viteve të fundit, në bashkëpunim me të gjitha institucionet kompetente, pagesa e koncesioneve është rritur. Vitin e kaluar u shpall tenderi për dhënien e koncesioneve të reja për kërkime gjeologjike -- në të cilin u paraqitën kompani vendore dhe të huaja për rreth 50 lokalitete. Kontratat me këta koncensionerë të mundshëm do të lidhen pas zgjedhjeve lokale. Natasha Stojanovska