Monstra-Bexheti: Pritet ekstradimi i Demirit dhe Ismailoviqit

2015-08-21 4

Ka filluar procedura për ekstradimin e dy të dyshuarve për vrasjen e pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës, nga Republika e Kosovës në Maqedoni. Alil Demiri dhe Agim Ismailoviq pritet që pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, të ekstradohen në Republikën e Maqedonisë. Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti njoftoi se edhe me këtë rast do të veprohet si për të gjitha rastet tjera, në përputhshmëri me rregullat ligjore dhe marrëveshjes bilateral me Kosovën.

"Procedura rrjedh konform rregullave ligjore dhe marrëveshjes bilateral me Republikën e Kosovës, dhe do të veprohet si për të gjitha rastet tjera, dhe jemi në komunikim permanent me Republikën e Kosovës, gjegjësisht me Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës", tha Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.

Alil Demiri dhe Agim Ismailoviq u arrestuan në Prishtinë më 3 mars të këtij viti, në bazë të fletë-arrestit ndërkombëtar. Demiri dhe Ismailoviq janë dy nga pesë të dyshuarit për organizimin dhe realizimin e vrasjes së pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës. Pas ekstradimit ata do ti nënshtrohen procesit gjyqësor për këtë rast, i cili tashmë po zhvillohet kundër 4 të dyshuarve të tjerë të arrestuar gjatë aksionit policor 'Monstra'. Seanca e radhës e procesit gjyqësor kundër të akuzuarve për rastin 'Monstra' është caktuar për 19 mars të këtij viti. Tani për tani nuk dihet nëse Alil Demiri dhe Agim Ismailoviq do të ekstradohen para kësaj date, që të jenë të pranishëm në vazhdimësinë e këtij procesi gjyqësor. Benjamin Arifi