Bashkësia Fetare Islame prolongon protestat për Burmali Xhaminë, të paralajmëruara për të premten, më 15 mars. Sipas zëdhënësit të BFI-së, ky vendim është marrë mbrëmë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të këtij institucioni, pas apelit të Qeverisë për shtyrjen e protestave për kohë të pacaktuar, pasi degjenerimi dhe politizimi eventual i protestave për Burmalinë, mund të vështirësojë arritjen e zgjidhjes për rindërtimin e këtij objekti fetar.
"Rijaseti gjithashtu ndan mendimin me Apel-propozimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, citojmë, "se një organizim i tillë gjatë fushatës zgjedhore nuk do të ishte në favor të interesave të përbashkëta ndaj situatës që mund të na krijohet, dhe mendojmë se do ta politizonte situatën dhe do ta vështirësonte zgjidhjen e kontestit në të ardhmen", tha Abaz Islami, zëdhënës i BFI-së.
BFI-ja njofton se aktivitetet për senzibilizimin e çështjes së Burmali Xhamisë do të vazhdojnë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Ata shpresojnë se në bashkëpunim edhe me subjektin shqiptar në Qeveri do të arrijnë një zgjidhje adekuate rreth kësaj çështjeje.
"Po ashtu, ne si BFI pajtohemi dhe jemi të gatshëm që pas zgjedhjeve lokale së bashku me institucionet qeveritare e sidomos me subjektin shqiptar participues në pushtet, t`i bisedojmë të gjitha çështjet e hapura që kanë të bëjnë me zgjidhjen e kërkesave tona, duke nënkuptuar edhe gjetjen e një zgjidhje adekuate për rindërtimin e Burmali Xhamisë", u shpreh Abaz Islami, zëdhënës i BFI-së.
Bashkësia Fetare Islame tashmë disa vite po përpiqet që të kthen truallin në sheshin e Shkupit, në vendin ku më parë ka qëndruar Xhamia Burmali. Me projektin 'Shkupi 2014', në vendin e Burmali Xhamisë është parashikuar ndërtimi i Shtëpisë së Oficerëve, veprim ky që ka shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi të institucionet fetare islame, si dhe te besimtarët mysliman. Benjamin Arifi