Gjykata administrative ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor për sa i përket vendimit për pezullimin e listave ekzistuese në Strugë dhe Kërçovë, duke i hapur mundësinë subjekteve politike për lista të reja të përbashkëta. Kështu shprehet për Alsat profesori i të drejtës kushtetuese Bajram Pollozhani. Sipas tij ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor përcaktojnë qartë se mbeten në fuqi proceset e ndërmarra, dhe se mundësi i jepet vetëm LSDM-së dhe partive të tjera opozitare që të dërgojnë listat e kandidatëve. Pollozhani thekson se gjykata administrative duhej vetëm të refuzonte paditë e dorëzuara dhe të vërtetonte vendimet e Komisioneve Komunale Zgjedhore të Strugës dhe Kërçovës.
"Me bindje të thellë konsecualist e me një mendim të sigurt juridik po deklaroj se gjykata ka shkelur rëndë me këtë vendim vet Kushtetutën, neni 22 dhe 23 me të cilat është garantuar e drejta për të zgjedhur dhe e drejta për të qenë i zgjedhur përkatësisht për të ushtruar funksion publik. Pas mundësisë që me ligj të shtyhet afati deri më datën 9 mars këtë gjë ka mundur ta bëj vetëm LSDM-ja me subjektet që i ka në koalicion dhe asnjë subjekt tjetër", deklaroi Bajram Pollozhani, ekspert juridik
Kjo sipas Pollozhanit nënkupton se procesi zgjedhor i 24 marsit, fillon me abuzime të rënda dhe se ky vendim është përfundimtar pasi nuk janë parashikuar mekanizma të tjerë ankimimi në instanca më të larta. Për këtë shkak, tani partive politike u mbetet të deklarohen nëse do t'i pranojnë ose jo rezultatet e zgjedhjeve.
"Me këtë dëshmohet se ekzekutivi apo mazhoranca në ekzekutiv ka ndikim të fuqishëm përveç në mekanizmat zgjedhor që janë përcaktuar me ligj ka ndikim të fuqishëm edhe në sistemin gjyqësor dhe kjo u dëshmua. Tani subjekti politik shqiptar qoftë edhe ky që është në koalicion le ta shohin se tani kur preken interesat publike në këtë drejtim se si bëhet ndërhyrje flagrante në sistemin zgjedhor përkatësisht në sistemin gjyqësor nëpërmjet të cilit ndikohetnë3 një proces legal zgjedhor", tha Bajram Pollozhani, ekspert juridik.
Gjykata administrative hodhi poshtë vendimet e komisioneve komunale zgjedhor të Strugës dhe Kërçovës e cila kishte vendosur që të mos pranonte listat e përbashkëta mes LSDM-së dhe VMRO DPMNE. Dje, anëtari i komisionit shtetëror zgjedhor, pati braktisur në mënyrë demonstrative seancën e këtij institucioni, në të cilën u hodh shorti i ri për numrat rendore të partive. Gjyltene Rexhallari