MPB, bilanci i padive penale nga protestat

2015-08-21 2

Për 18 huliganët maqedonas që shkaktuan incidente gjatë të premtes së kaluar dhe rrahën disa të rinj shqiptarë, janë ngritur padi penale me akuzën për prishje rendi dhe qetësie publike, ndërsa 1 prej tyre është lënë i lirë, në mungesë të provave. Kështu u shpreh zv/ministri i Brendshëm Zemri Qamili. Ai gjithashtu tha se nga 8 të ndaluarit shqiptarë, të dyshuar për shkaktimin e incidenteve gjatë protestës së të shtunës, vetëm njëri prej tyre është mbajtur i ndaluar, ndërsa të tjerët, janë lënë në liri.

"Është ngritur padi kundër 7 personave të cilët 6 prej tyre janë lënë të lirë nga ana e gjykatës. Vetëm njërit prej këtyre personave është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe ne si MPB po punojmë për pastrimin dhe po grumbullojmë të dhëna edhe për persona të tjerë që kanë qenë të involvuar", tha Zemri Qamili, zv/ Ministër i Brendshëm.

Qamili përmendi gjithashtu se gjatë protestës së të shtunës, e cila duhej të ishte paqësore, kanë qenë infiltruar edhe persona të cilët për qëllime të përfitimit të pikëve politike, kanë nxitur masën të shkaktonte incidente.

"Fillimisht protesta ishte e qetë dhe pa asnjë incident mirëpo sipas të dhënave që ne si MPB i disponojmë nga ana e një grupi të caktuar protesta u keqpërdor për arsye të interesave politike. Ne si MPB kemi ndërmarrë të gjitha masat për pastrimin e rastit dhe për identifikimin e njerëzve të cilët kanë qenë të involvuar në prishjen e rendit dhe qetësisë", tha Zemri Qamili, zv/ Ministër i Brendshëm.

Protestat e ditës së shtunë të të rinjve shqiptarë erdhën një ditë pas dhunës së një grupi të rinjsh maqedonas, të cilët rrahën të rinj shqiptarë nëpër rrugët e Shkupit. Valmir Kuçi