Qytetarë dhe policë të plagosur, në mesin e tyre edhe të mitur, makina të dëmtuara dhe shumë dëmtë të tjera materiale. Ky është bilanci i incidenteve të djeshme pas protestës së organizuar para Qeverisë. Sipas zëdhënësit të MPB-së Ivo Kotevski, 18 persona janë arrestuar si pjesëmarrës në protestë, mes tyre edhe të mitur, ndërsa pas kompletimit të dokumentacionit ndaj tyre do të ngrihen edhe padi penale. Sipas zëdhënësit Kotevski, incidentet filluan me protestën e organizuar para qeverisë dhe përfunduan me shumë sulme fizike ndaj qytetarëve të thjeshtë, të moshës 13 e deri në 28 vjeçarë.
"Rreth orës 16:15 minuta, një grup i madh të rinjsh, të maskuar me shalle dhe kapela në kokë kanë filluar të gjuajnë me sende të ndryshme, shishe, gurë, tulla dhe sende të tjera të forta. Drejt qeverisë janë hedhur mjete piroteknike të cilat nuk kanë shkaktuar dëme. Rreth orës 16:45 është djegur flamuri kombëtar shqiptar, dhe më pas, grupi I të rinjve është tërhequr, duke u shpërndarë në drejtime të ndryshme. Mes të arrestuarve duhet të përmendet se janë edhe dy persona nga Prilepi dhe Shkupi, të cilët deklarohen si organizatorë të protestës së djeshme", deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Sipas Kotevskit, gjatë incidenteve të djeshme janë plagosur gjithsej 11 policë, është dëmtuar një furgon i policisë, një makinë terreni dhe 11 skafandra policore.
"Masa e shpërndarë e protestuesve, në grupe të mëdha, nga Qeveria u drejtua për në objektin Tifani dhe sheshin 'Maqedonia' ku vazhdoi me dhunë dhe hedhje sendesh të forta, ku u lëndua edhe një polic. Masa e protestuesve, nga sheshi 'Maqedonia' u shpërnda në grupe më të vogla dhe u nis drejt Stacionit të autobusëve dhe lagjes Aerodrom. Gjatë largimit, ata kanë kryer edhe sulme fizike ndaj qytetarëve të thjeshtë, ku kanë mbetur të plagosur disa persona, ndërsa është dëmtuar edhe një autobus udhëtarësh dhe disa makina", tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së
Zëdhënësi Ivo Kotevski theksoi gjithashtu se për MPB-në, autorët e sulmeve dhe viktimat nuk kanë përkatësi etnike. Sipas tij, të gjithë janë njësoj para ligjit. Kotevski apeloi në emër të MPB-së për ulje të tensioneve, përndryshe, ndaj orkestruesve të tyre, do të merren masa të rrepta.
Melihate Rustemi