As përmbytjet nuk i detyrojnë bujqit që të sigurojnë arat e tyre. Ndonëse Qeveria kthen 60 për qind të parave të përgjithshme që bujku ka shpenzuar për të siguruar të mbjellat, vetëm 1300 bujq e kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Për këtë opsion sigurimi, Qeveria ka shpenzuar deri tani 21 milionë, nga gjithsej 35 milionë denarëve.
"Nuk jemi të kënaqur as ne, as vetë bujqit, me shfrytëzimin e parave. Mendojmë se sigurimi i sipërfaqeve bujqësore është zgjidhja më e mirë për mbulimin e humbjeve", tha Lupço Dimovski, ministër i Bujqësisë.
Nga ministria e Bujqësisë pranojnë se, vlerësimi i ulët i arës dhe polica e vogël e sigurimit janë arsyeja kryesore që bujqit nuk i sigurojnë arat nga përmbytjet, breshëri dhe moti i keq. Nga Ministria shprehen se deri tani, vetëm kopshtarët, pemëtarët dhe vreshtarët i kanë siguruar arat e tyre. Dikasteri i Bujqësisë paralajmëron trajnimin e bujqve mbi rëndësinë e sigurimit veçanërisht tani kur gjysma e Maqedonisë, është përmbytur nga reshjet e dendura të shiut. Në rajonin e Strumicës, Shtipit dhe Manastirit thuajse të gjitha të mbjellat pranverore janë nën ujë. Dëmet ende nuk janë përllogaritur, dhe javën tjetër, ekipe të kësaj ministrie do të dalin në terren për të hetuar. Verica Pavlloska