Dënimi me burg të përjetshëm, për policin Joakim Trifunovski i cili më 28 shkurt të vitit të kaluar vrau dy të rinj shqiptarë në qendër të Gostivarit, është rasti i parë në Maqedoni, kur për shkak të vrasjes së shqiptarëve, një maqedonas merr dënim maksimal. Kujtojmë se, që në ditën e aktit makabër kishte tendenca nga ana e zyrtarëve të lartë të MPB-së, për t'u vënë në mbrojtje të policit vrasës. Për këtë flet edhe deklarata e zëdhënësi të MPB-së Ivo Kotevski. Në vazhdim sjellim deklaratën e tij të dhënë më 28 shkurt në ditën e vrasjes.
"Arsyeja e incidentit, respektivisht vrasjes së dyfishtë është zënka verbale për një çështje banale, respektivisht për parkingun afër ndërtesës ku ka jetuar i dyshuari. Ndërsa sipas informatave, tani në afërsi kanë jetuar edhe katër persona që kanë marrë pjesë në zënkën verbale. Zënka verbale shumë shpejtë është shndërruar në zënkë fizike dhe sipas të thënave të të dyshuarit ai me qëllim të mbrojtjes ka shtënë dy plumba në ajër. Ndërsa pastaj ka shtënë në drejtim të dy personave të cilët janë plagosur dhe fatkeqësisht iu nënshtruan plagëve. Zyrtari i policisë është 39 vjeç i lindur në Gostivar, është i punësuar në vitin 2002 në Ministrinë e Brendshme", deklaroi më 28.02.2012 Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Vrasja asokohe nxiti protestën e shqiptarëve. Një numër i madh banorësh në Gostivar kërkuan që ekzekutori të merrte dënimin e merituar. Në vij të njëjtë edhe subjektet politike shqiptare, të cilat gjithashtu kërkuan nga organet kompetente që rasti të mos politizohet dhe të mos marrë dimensione ndëretnike, por drejtësia të kryente me profesionalizëm punën e saj dhe autori të merrte dënimin e merituar. Kështu edhe ndodhi. Të gjitha përpjekjet që Jakimovski të shpallej i pafajshëm apo të merrte dënimin minimal, ranë në ujë. Gjykata vendosi dje dënimin me burg të përjetshëm për policin vrasës Trifunovski, nën pretekstin se ai e kreu vrasjen me vetëdije të plotë. Alsat-M