Kriza aktuale që po kërcënon rrugën e Maqedonisë drejt BE, ka detyruar komisionarin evropian për zgjerim, t'u dërgojë letër kritike Gruevskit dhe Cërvenkovskit. Shtefan Fyle, i ka bërë thirrje dy atribuuesve kryesorë të krizës, të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt, për të mos rrezikuar progresin e Maqedonisë. Letra e Fyles u publikua sot në Bruksel, nga zëdhënësi i tij Peter Stano.
"Në letrën e dërguar Gruevskit dhe Cërvenkovskit, Fyle ka shprehur shqetësimin e tij me qëllim që ata t'i japin fund pengesave politike. Ai ka thënë se zgjidhja duhet të gjendet në Shkup, dhe ka kërkuar nga të dy liderët që të vazhdojnë me përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës aktuale, pikërisht përmes dialogut politik dhe kompromisit. Fyle gjithashtu ka kërkuar nga liderët që ky kompromis, të gjendet në një mënyrë sa më të shpejtë të mundshme, me qëllim që Maqedonia të kthehet në rrugën euroatlantike, që momentalisht rrezikohet", tha Peter Stano, zëdhënës i Shtefan Fyles.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Shkup Poll Uolers kërkoi nga të gjitha subjektet politike në vend që të punojnë për interesat e shtetit dhe jo për ato personale partiake.
"Qëndrimi ynë është se kriza, nëse mund të quhet krizë, duhet të kapërceht në të mirë të shtetit. Vlerësoj se liderët politikë, si në Qeveri ashtu edhe në opozitë, duhet të punojnë së bashku për të mirën e ardhmërisë së vendit, të Republikës së Maqedonisë, jo vetëm për interesat e tyre politike. Vlerësojmë se situata politike mund të kapërcehet, por për këtë, nevojitet dialog mes të gjitha subjekteve politike", deklaroi Poll Uolers -- ambassador i SHBA-së në Maqedoni.
Mesazhi i Komisionit Evropian, konkretisht komisionerit Shtefan Fyle dhe rekomandimet e ambasadorit amerikan në Shkup, Poll Uolers janë mesazhet e para të drejtpërdrejta pas vendimit të partisë së Cërvenkovskit, për të bojkotuar përfundimisht zgjedhjet lokale. Valmir Kuçi