Rikonstruimi, kuvendi miraton ministrat e rinj

2015-08-21 2

Fatmir Besimi, Tahir Hani dhe Talat Xhaferri u bënë zyrtarisht ministrat e rinj të kabinetit qeveritar. Emri i Talat Xhaferrit ngriti në këmbë gjithë grupin parlamentar të PDSH-së, i cili e quajti atë, si lidhjen më të mirë të bashkëpunimit ndërqeveritar Maqedoni-Serbi. Kjo shkaktoi reagimin e deputetes së BDI-së Ermira Mehemti Devaja e cila tha se vetëm PDSH-ja dhe Stojanço Angellov i Dinjitetit janë kundër Talat Xhaferrit.

"E dini pse bëhet ky ri-formatimi i qeverisë. Sot për vizitë zyrtare në Maqedoni kemi ministrin e punëve të jashtme të Serbisë që ka ardhur të bëjnë marrëveshje për atë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe normalisht duhet një person që i lidh, ku ka më mirë se një oficer i 'Jugosllavenska narodna armija' të jetë ministër që t'i bashkojë këto dy qeveri", tha Bekim Fazliu, PDSH

"Ju jeni patriotë, ama ndaj shqiptarëve jo ndaj maqedonasve. Prandaj juve ju pengon kandidatura e zotit Talat Xhaferi dhe mundoheni në çdo mënyrë ta diskreditoni atë. Por ka edhe një të vërtet pse ju pengon, për shkak të trashëgimisë së tij, UÇK-së. E po, më lejoni të konstatoj i nderuar zoti Fazliu se sot vetëm ju dhe Stojanço Angellovski jeni kundër kandidaturës dhe votimit të zotit Talat Xhaferri për ministër të mbrojtjes", deklaroi Ermira Mehmeti, BDI.

Ndërkohë, deputeti i RDK-së Izet Zeqiri theksoi se pret nga Xhaferri të realizojë projektet që janë në interes të shqiptarëve.

"Sa i përket propozimit të zotit Talat për ministër të mbrojtjes unë nuk kam kurrgjë kundër. Unë mendoj se ai do ta gjejë veten si një profesionist i asaj fushe në atë ministri por do të doja që të gjitha ata projekte që janë me interes për shqiptarët ai të realizojë, posaçërisht çështjen e kazermave, kazermës së Tetovës në të cilën në bashkëpunim me komunën e Tetovës ajo duhet t'i jepet si qendër për inovacione dhe qendër për zhvillimin e sipërmarrjeve në regjionin e Tetovës", tha Izet Zeqiri, RDK.

Parlamenti gjithashtu votoi edhe zv/ministrat, Xhelal Bajramin si zv/ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Ardian Xheladinin si zv/ministër i financave dhe Zemri Qamilin tek punët e brendshme. Bedri Rexhallari