Në kushte të mungesës së dialogut të brendshëm, Qeveria ka vendosur të fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët e saj. Pas vizitave të autoritete malazeze dhe bullgare, sot në Shkup mbërriti Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivan Mërkiq. Dy kolegët firmosën marrëveshje bashkëpunimi në fushën e euro-integrimeve. Në takim gjithashtu Poposki dhe Mërkiq shprehën gatishmërinë për organizimin e një seance të përbashkët mes dy qeverive të Maqedonisë dhe Serbisë, por pa precizuar akoma datën konkrete, edhe pse më herët gjatë vizitës së tij kryeministri serb Ivica Daçiq si afat të mundshëm pati përmendur muajin maj.
"Biseduam se kur do të mbahet seanca e përbashkët e dy qeverive tona. Së shpejti do të takohemi në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim në euro-integrimet që sapo firmosën. Por, planifikojmë që ajo të jetë më herët se seanca mes dy qeverive. Ramë dakord të formojnë një Komision të përbashkët për marrëdhënieve ekonomike, pasi mes dy shteteve kemi një bashkëpunim intensiv ekonomik", tha Ivan Mërkiq, Ministër i Jashtëm i Serbisë.
Poposki tha se Maqedonia është e përcaktuar që problemet me fqinjët e saj t'i kapërcejë përmes dialogut të hapur.
"Kemi çështje të hapura në rajon, por ne jemi të përcaktuar drejt zgjidhjes së tyre përmes dialogut të sinqertë mes fqinjëve, në mënyrë të hapur me qëllim që t'i kapërcejmë ato", u shpreh Nikolla Poposki, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë.
Nga ana tjetër, duke komentuar vizitën e kryeministrit bullgar Borisov dy ditë më parë, Poposki theksoi se Maqedonia po përpiqet të normalizojë marrëdhëniet edhe me Bullgarinë, pavarësisht faktit se mes dy vendeve nuk është firmosur ndonjë memorandum bashkëpunimi.
"Me rëndësi është se klima e diskutimit ishte pozitive, dhe se u morëm vesh që të përqendrohemi tek përfitimet tona të përbashkëta dhe të mos ngarkohemi me pengesa të caktuara. Për fqinjësinë e mirë, shumë me rëndësi janë gjestet dhe qasja ndaj njëri-tjetrit, krahasuar me atë çfarë kemi vendosur në letër. Vetëm përmes respektit të ndërsjellë mund të kemi përfitim nga firmosja e një marrëveshjeje", tha Nikolla Poposki, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë.
Pasi Bullgaria i tregoi kthetrat Maqedonisë në Samitin e dhjetorit të Bashkimi Evropian, vendi u kushtëzua me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe arritjen e progresit në zgjidhjen e çështjes së emrit, si një nga kushtet që në qershor të përfitojë datën e negociatave. Semra Jakupi