Themeluesi i Televizioni Alsat dhe kompanisë VEVEGROUP, Vebi Velija është dekoruar nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga për arritjet e tij të jashtëzakonshme në fushën e dijes, të zhvillimit ekonomik dhe për kontributin e tij për Kosovën. Jahjaga, në një ceremoni solemne të organizuar në pesë-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i ndau z. Velija dekoratën e lartë për Inovacione, Kërkime dhe Zhvillim, të cilën e mori djali i tij, tani drejtuesi i ALSAT M dhe VEVEGROUP, Ferik Velija.
"Çmimi për Inovacione, Kërkime dhe Zhvillim u jepet personave që tregojnë rezultate të jashtëzakonshme në fusha të caktuara të dijes, zhvillimit ekonomik dhe teknologjisë. Vebi Velija, Çmimi për Inovacione, Kërkime dhe Zhvillim", tha Arbër Vllahiu, Këshilltar i Presidentes Jahjaga.
Presidentja Jahjaga tha se ka pasur nderin që si presidente e Republikës së Kosovës që, duke kryer obligimin kushtetues, te dekoroj te gjitha ato personalitete, të gjithë ata veprimtarë që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha çështjet që Republika e Kosovës sot të jetë shtet sovran dhe i pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti, vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe që është në miqësi të përjetshme me Shtete e Bashkuara të Amerikës. Jahjaga ka vlerësuar lartë kontributin e z. Velija dhe të gjithë të dekoruarve të tjerë në mesin e të cilëve ishin edhe Bernard Kouchner, Morton Abramovich, Rosemary Di Carlo, Nicholas Burns, Viktor Meier e shumë të tjerë, të cilët kanë dhënë kontribut për Kosovën,e cila sot po kremton e lirë pesë vjetorin e saj si shtet.
"Obligimi im është që të jap një vlerësim të vogël dhe modest, por shumë simbolik, si një obligim të shoqërisë sonë që të nderojmë dhe të kujtojmë, në mesin e shumë të tjerëve, njerëzit e dalluar që e merituan me punën dhe angazhimin e tyre. Ju familjarë, ashtu si edhe të gjithë ne, jeni krenarë për bijtë dhe bijat, për vëllezërit dhe motrat, për prindërit dhe për të gjithë ata njerëz të vullnetit të mirë dhe të idealit që u shkrinë që ne sot të jetojmë të lirë dhe të dinjitetshëm, të ndërtojmë një të ardhme duke ecur rrugës që ata na e lanë. T'i mbani me nder këto çmime. Respekt dhe nderim për veprën e të merituarve", tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.
Kontributi i z. Vebi Velija çmohet lartë nga institucionet dhe populli i Kosovës, që nga koha e mbështetjes që i dha lëvizje për çlirim në Kroaci duke e mbështetur me të gjitha forcat atë e deri te kontributi i tij i pareshtur qoftë i lobimit për Kosovën e deri te krijimi i dritares së përbashkët të informimit të shqiptarëve, përmes Televizionit ALSAT, që kishte vendosur shtrirje në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Alsat M