Qeveria nuk heqë dorë nga Subrata Roj

2015-08-21 0

Qeveria ende shpreson në investuesin Subrata Roj. Ndonëse llogaritë e tij në Indi tashmë disa ditë janë bllokuar, qeveria ende beson në premtimet e Rojit për investime në Ohër. Ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski tha se ministria dhe qeveria janë në dispozicion për gjithçka që ka nevojë Subrata Roj.

"Ministria e transportit dhe lidhjeve është në dispozicion të të gjithë investuesve. Gjithsesi e gjithë kjo është sipas rregullave ligjore. Për çfarëdo që është e nevojshme, ministria e transportit është në dispozicion, që në fakt kjo është edhe obligimi jonë t'u ndihmojmë investuesve vendorë ashtu edhe atyre të huaj në pajtim me rregullat ligjore në Maqedoni", deklaroi Mile Janakievski, ministër i transportit dhe lidhjeve.

Në pyetjen, nëse Subrata Roj ka dhënë para për ndonjërin prej investimeve të paralajmëruara, Janakievski u përgjigj:

"Deri tani nuk ka asnjë marrëveshje dhe asnjë procedurë. Ka paralajmëruar investime dhe ne përgatitemi për ato por edhe për investime tjera. Për momentin punojmë në zonat zhvillimore turistike në Ohër dhe Dojran dhe do të ketë konkurs ku do mund të paraqiten të gjithë investitorët e interesuar, shpresoj se edhe ai do të paraqitet".

Edhe nga qeveria sot konfirmuan se nuk kanë marrë ndonjë informatë rreth çfarëdo ndryshimi të asaj që paraprakisht ishin marrë vesh qeveria dhe Subrata Roj për investimet e mundshme. Ndryshe, llogaritë e miliarderit Subrata Roj janë ngrirë për shkak se Gjykata Supreme e Indisë gjykoi se Roj, përmes kompanive të tij ka mashtruar miliona qytetarë me banesat që i kanë shitur. Për këtë, Gjykata Supreme e obligoi kompaninë ta kthejë borxhin prej 3 miliardë eurove me normë interesi prej 15% për disa milionë qytetarë të mashtruar. Verica Pavllovska