Bajrami siguroi firmat për kandidat të pavarur

2015-08-21 6

Kryetari aktuali i Komunës së Haraçinës Basri Bajrami për dy ditë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës së pavarur për zgjedhjet e ardhshme lokale më 24 mars. Para disa ditësh në Komisionin Shtetëror Zgjedhor janë dorëzuar mbi 200 nënshkrime në përkrahje të kandidaturës së tij.

"Ditë më parë janë dorëzuar edhe nënshkrimet e duhura në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, madje edhe disa herë më shumë se sa kërkohej me Ligj. Janë dorëzuar edhe nënshkrimet për Listën e Këshilltarëve, të përzgjedhur nga të gjitha shtresat e qytetarëve të Komunës së Haraçinës" tha Basri Bajrami, kryetar i Komunës së Haraçinës.

Bajrami në pika të shkurtra përmendi arritjet gjatë mandatit i cili po skadon, duke nënvizuar hyrjen në fazën e dytë të decentralizimit të Komunës së Haraçinës, gjë që mbetet e paarritshme për shumë komuna tjera urbane. Ai tha se nëse merr përsëri besimin e qytetarëve, do të vazhdojë projektet të cilat akoma presin realizim.

"Në pritje të realizimit janë disa projekte madhore dhe shumë të dobishme për qytetarët e Haraçinës. Qëllimi dhe synimi ynë kryesor për mandatin e ardhshëm është zgjerimi i territorit të Komunës, si dhe sigurimi i ujit të pijshëm për Haraçinën" deklaroi Basri Bajrami, kryetar i Komunës së Haraçinës.

Bajrami gjithashtu ka përmendur si prioritete asfaltimin e rrugës Hasanbeg -- Haraçinë -- Likovë, rrugën për në Grushinë, hapjen e një çerdheje për fëmijë dhe Shtëpi të Kulturës, si dhe investime nga kompani të huaja në Komunën e Haraçinës. Benjamin Arifi