Fondi i Filmit vazhdon diskriminimin e shqiptarëve

2015-08-21 1

Artistët shqiptarë paralajmërojnë se ngjashëm sikur vitin e kaluar, edhe këtë vit do të diskriminohen nga Fondi i Filmit të Maqedonisë, duke mos miratuar asnjë projekt të shqiptarëve. Aktori Ylber Murtezi dhe regjisori Kushtrim Bekteshi vlerësojnë se edhe këtë vit Fondi i Filmit i Maqedonisë do të anashkalojë projektet e shqiptarëve. Murtezi vlerëson se shqiptarët në pushtet nuk po bëjnë asgjë që të sigurojnë ndarje të drejtë të mjeteve për filmat shqiptarë. Ai nuk amniston as anëtarët shqiptarë të Fondit të Filmit. Ata sipas tij duhet të kushtëzojnë projektet maqedonase, të cilat nuk mund të kalojnë pa nënshkrimin e tyre.

"Ne kemi informata që, edhe pse reaguam vitin e kaluar, edhe këtë vit nuk ka kaluar asnjë vit shqiptar, të gjitha mjetet janë të dedikuar nga ana tjetër. Këtë vit kanë kaluar vetëm një apo dy filma shqiptar, edhe atë me metrazh të shkurtër, që nuk plotësojnë kushtet dhe gjithë atë që kërkojnë artistët shqiptar. Kjo është vetëm sa për sy e faqe që për të mbyllur gojën e aktorëve shqiptar, ja kemi kaluar një film me metrazh të shkurtër", deklaroi Ylber Murtezi, aktor.

Regjisori Kushtrim Bekteshi vlerëson se vitin e kaluar janë kërkuar mangësi teknike në projektet shqiptare me qëllim të eliminimit, përderisa nga ana tjetër thyhej ligji nga vetë Fondi i Filmit.

"Nuk do të befasohem fare në qoftë se edhe këtë vit nuk do të ketë kaluar asnjë film i metrazhit të gjatë në gjuhën shqipe sepse kjo është bërë traditë vite me radhë. Befasi do të jetë në qoftë se ndodh e kundërta. Vitin e kaluar u thye ligji nga vetë Fondi i Filmit duke i dhënë buxhet maksimal filmit me regjisor që nuk është shtetas i Maqedonisë që është kundër ligjit", tha Kushtrim Bekteshi, regjisor.

Ndërkohë drejtori i Fondit të Filmit Darko Basheski theksoi se pohimet e aktorëve dhe regjisorëve shqiptarë nuk janë të vërteta, pasi as ai dhe as anëtarët tjerë të këtij institucioni akoma nuk kanë ide se cilat filma do të kalojnë dhe cilat jo. Megjithatë ai siguron se nuk do të ndodh që të mos financohet asnjë film shqiptar, pasi kanë konkurruar disa projekte shumë të mira. Basheski thekson se viteve të kaluara janë ndarë rreth 1.400.000 euro për filmat shqiptar, të cilat sipas tij, edhe pse kanë mjete të mjaftueshme, nuk i ka parë të shfaqen ndokund. Benjamin Arifi