Në mungesë të programeve cilësore dhe projekteve konkrete, partitë politike tentojnë të fitojnë pikë parazgjedhore në llogari të personaliteteve kombëtare. Kështu e komentojnë analistët shpalljen e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj si qytetar nderi të Qytetit të Tetovës, nga ana e kryetarit aktual të kësaj komune Sadi Bexheti, kandidat për një tjetër mandat në zgjedhjet e ardhshme lokale. Analistët Ibrahim Mehmeti dhe Albert Hani deklarojnë se zbrazëtira cilësore në programet parazgjedhore të partive politike është e theksuar, dhe kjo tentohet të plotësohet me çështje që nuk kanë të bëjnë me problemet reale të qytetarëve.
"Për fat të keq në vend të programeve cilësore kandidatët ose funksionarët aktual përpiqen që këtë mungesë ta kompensojnë me çështje që nuk janë primare në kontekst të postit që e ka një kryetar komune. Mendoj se duhet të bëjmë dallim dhe nuk duhet ti involvojmë njerëzit që ndoshta nuk kanë faj nëse dikush përpiqet që ta shfrytëzojë këtë për fushatë, mirëpo në anën tjetër mendoj se është problem serioz që komunat shqiptare, kandidatët për kryetar komunash kanë programe shumë të dobëta dhe kjo shihet qartë", deklaroi Ibrahim Mehmeti, analist.
"Partitë politike mundohen që ta mbushin programin me shfrytëzimin e personaliteteve që gëzojnë famë ndërkombëtare ose autoritet ndërkombëtar në mungesë të ideve kreative dhe inovative të përfshira në programet e partive politike. Është plotësisht legjitime dhe atë e kuptoj, është diçka që ka ndodhur edhe më parë, mirëpo besoj se në moment është duke u zhvilluar edhe vetëdija e qytetarëve ose votuesve të cilët më tepër i vlerësojnë aktivitetet, punën e suksesshme si dhe projektet e implementuara se sa vet promovimin", tha Albert Hani, analist.
Qytetarët e Tetovës kërkojnë që komuna të merret me problemet me të cilat ballafaqohen në përditshmëri, dhe jo me promovimin e saj, nëpërmjet figurave të respektuara kombëtare.
"Pikë së pari pastërti, pastaj të shohim".
"Asgjë nuk ka bërë deri tash, dhe asgjë nuk mund të bëjë".
"Së pari nuk e di nga do të fillojë, se përndryshe tani për tani nuk kam koment".
Ramush Haradinaj dje u shpall qytetar nderi i Komunës së Tetovës, me ftesë të kryetarit aktual të kësaj komune Sadi Bexheti, i cili në zgjedhjet e ardhshme lokale më 24 mars do të tentojë që të fitojë edhe njëherë besimin e qytetarëve të kësaj komune. Benjamin Arifi