Dibër, padi për drejtorin e shkollës 'Penistia'

2015-08-21 2

Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka kërkuar nga Gjykata Themelore-Dibër ngritjen e procedurës kundërvajtëse kundër Ramadan Imerit, drejtor i Shkollës Fillore 'Penestia' në Dibër me arsyetimin se ai në kundërshtim me Ligjin për Arsim Fillor ka bërë ndërrimin e emrit të shkollës nga 'Vëllazërim -Bashkimi' në 'Penestia'.

Sipas Inspektoratit Shtetëror të Arsimit 'drejtori Imeri ka shkelur nenin 31, paragrafi 2 dhe nenin 36 të Ligjit e inspektoriatit arsimor. Drejtori i kësaj shkolle fillore nuk ka respektuar vendimin dhe masat e shqiptuara për heqjen e tabelës me emrin e ri në hyrje të shkollës dhe kthimin e tabelës me emrin e vjetër të shkollës.'

Ndërkohë i kontaktuar nga ALSAT-M, drejtori i Shkollës Fillore 'Penestia', Ramadan Imeri thotë se atë dhe ekipin e tij nuk e frikësojnë kërcënimet e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit pasi sipas tij ata kanë respektuar të gjitha procedurat ligjore.

"Mua presionet nuk më frikësojnë dhe ato nuk i frikësojnë edhe të punësuarit por edhe të gjitha strukturat tjera. Unë edhe para nisjes i kisha parasysh pasojat dhe problemet që mund të dalin dhe prandaj as që kam ndërmend të lëkundem nga qëndrimi im. Do të jem këmbëngulës deri në fund dhe po të kërkojë nevoja do të mbrojë edhe me trup dhe me shpirte emrin e shkollës" , deklaroi Ramadan Imeri, Drejtor i SH.F 'Penestia', Dibër.

Imeri gjithashtu thotë se një vendim i tillë është marrë edhe duke pasur parasysh strukturën e nxënësve që vijojnë mësimin në këtë shkollë. Sipas tij, nxënësit maqedonas përbëjnë vetëm 6 për qind të të gjithë nxënësve.

"Struktura nga aspekti i nxënësve na stimulonte për një nismë të tillë, kështu që krahas përpjekjeve me bordin e prindërve dhe të shkollës, morëm edhe pëlqimin e këshillit komunal i cili edhe në pjesën e respektimit të badenterit dhe ajo që është më e rëndësishme, kryetari i Komunës së Dibrës ishte konsekuent në qëndrimin tonë dhe na mbështeti pa rezervë", tha Ramadan Imeri, Drejtor i SH.F 'Penestia', Dibër.


Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk deshën të prononcohen rreth rastit në fjalë edhe përkundër insistimit të Televizionit ALSAT-M. Rikujtojmë se vendimi për ndryshimin e emrit të Shkollës Fillore 'Penestia' ka kaluar me votat sipas parimit të shumicës së Badenterit, duke marrë edhe votat e të gjitha bashkësive etnike jo-shqiptare në mbledhjen e datës 24 prill të vitit 2012 të Këshillit Komunal të Dibrës. Valmir Kuçi