Rikonstruim të qeverisë deri më 15 shkurt?!

2015-08-21 0

Edhe anëtarët e Qeverisë që do të garojnë në zgjedhjet lokale do të lënë postet e tyre aktuale. Alsat M mëson se dorëheqjet zv/kryeministres Teuta Arifi dhe ministrit të Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta do të konkretizohen brenda dhjetë ditësh. Teuta Arifi pritet të japë dorëheqjen pas takimit me Komisionerin Europian për Zgjerim Shtefan Fyle, që pritet të realizohet brenda këtyre ditëve. Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta ka konfirmuar kohë më parë për televizionin Alsat M se do të lëshojë ministrinë, menjëherë pas zyrtarizmit të kandidaturës. Rrjedhimisht, pritet që nga mesi i shkurtit të ketë ri-konstruim të kabinetit qeveritar. Në postin e zv/kryeministrit për euro-integrime, sipas të gjitha gjasave do të ulet Fatmir Besimi, ministër aktual i Mbrojtjes. Për postin e Besimit përmendet emri i Ermira Mehmetit, por nuk përjashtohet mundësia që BDI-ja ta braktisë fare këtë resor. Më afër ministrisë për Vetëqeverisje Lokale është Hazbi Lika, i cili edhe pse kishte mbështetje të konsiderueshme për kandidat për kryetar në Komunën e Tetovës, mbeti jashtë kësaj gare. Zv/ministri i financave Nedim Ramizi do të ngjitet në kuvend, për të zëvendësuar deputetin e sapodorëhequr Arbën Llabënishta, ndërsa në vend të tij, në ministrinë e financave, vjen një kuadër nga Kërçova. Burime nga partitë në pushtet nuk përjashtojnë edhe mundësinë për lëvizje të resorëve mes tyre. Rikonstruimi i kabinetit qeveritar pritet të ndodhë në seancën e fundit të Kuvendit para zgjedhjeve lokale, më 15 shkurt të këtij viti. Benjamin Arifi