"Unë erdha këtu me një frymë shumë pozitive. Shpresoj të bashkëpunoj me cilindo në shtetin tuaj, siç është e natyrshme për një përfaqësues të një shteti fqinj", theksoi Theoharis Lalakos, Shefi i Zyrës greke për ndërlidhje.
Kështu u shpreh shefi i Zyrës greke për Ndërlidhje Teoharis Lalakos, pas takimit me krye-parlamentarin Trajko Vejlanovski. Lalakos i cili zëvendëson në këtë post Aleksandra Papadhopullun, dorëzoi letrat kredenciale një javë më parë edhe ministrit të Jashtëm Nikolla Poposki. Ai ka njoftuar takime të tjera kortezie me krerë të tjerë shtetërorë. Lalakos konsiderohet si njohës i mirë i çështjeve bilaterale të Athinës me fqinjët e saj, ndërsa në Shkup vjen nga funksioni i ambasadorit grek në Ankara. Lalakos madje, nga viti 2007-2009 ka qenë shef i kabinetit të Ministres së Jashtme Dora Bakojani. Diplomati grek tha se është optimist se çështja e ermit do të zgjidhet gjatë mandatit të tij.
A jeni optimist se çështja e emrit do të zgjidhet gjatë mandatit tuaj?
"E shpresoj sinqerisht këtë", u përgjigj Lalakos.
Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Poposki dhe Avramopulos sot marrin pjesë në konferencën për siguri në Munih. Nga të dyja ministritë njoftohet se në kuadër të konferencës, diplomatët do të realizojnë disa takime bilaterale me kolegët e tyre, mes të cilave nuk përjashtohet mundësia e takimit kokë më kokë të dy kolegëve grek dhe maqedonas. Nga ana tjetër, e përditshmja greke 'Kathimerini' e ndërlidhte takimin e ministrit të jashtëm grek Avramopulos me zv/presidentin amerikan Xho Bajdën, me takimin e ndërmjetësit Nimic me negociatorët Jolevski dhe Vasilakis. Nga takimi i fundit në Nju Jork, u njoftua se palët kanë 'kristalizuar' tashmë pozicionet dhe po 'punojnë fuqishëm', për harmonizimin e tyre drejt arritjes së një zgjidhjeje. Takimi i ardhshëm i negociatorëve me ndërmjetësin Nimic, njoftohet diku në muajin mars. Semra Jakupi