Shoqata e Botuesve Shqiptar kërkon nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti shkarkimin e Sekretarit Shtetëror të Kulturës Muzafer Bislimi. Kërkesa e tyre vjen për shkak të, siç thonë ata, ndërhyrjeve joparimore në punën e anëtarëve shqiptarë nëpër komisione të ndryshme, dhe mos angazhimin për sigurimin e shumës së parave proporcionale për shqiptarët. Gjithashtu, nga SHBSH Bislimi është akuzuar edhe për nepotizëm dhe ndarje joprofesionale të mjeteve.
"Muzafer Bislimi, në vend që të angazhohet për sigurimin e 25 për qind të realta nga shuma e përgjithshme që ndahet në kuadër të Ministrisë së Kulturës, gjegjësisht që nga 60 milionë eurot e parapara të ndahen minimum 15 milionë euro për kulturën shqiptare, ai angazhohet dhe merret me ndarjen joprofesionale të mjeteve të dedikuara për kulturën shqiptare dhe mbështetjen e miqve të vet", deklaroi Qamil Rufati, kryetar i SHBSH.
Sipas SHBSH, edhe pse nga 390 libra të miratuara në kuadër të Programit për veprimtari botuese, 88 janë libra në gjuhën shqipe, dallimi është në vëllimin dhe mjetet e ndara për këto tituj. Ata kërkojnë transparencë për numrin e saktë të mjeteve që Ministria e Kulturës ka ndarë për librat shqiptar. Megjithatë Sekretari Shtetëror Muzafer Bislimi mohon akuzat, duke shtuar se ka bërë gjithçka që të kalojnë sa më shumë projekte shqiptare, dhe se është i kënaqur nga Programi final.
'Programi që është botuar sivjet i Ministrisë së Kulturës që do të financohet me mjete të buxhetit në përgjithësi marrë jam i kënaqur... Buxheti i pastër është rreth 50 milion denarë, ndërsa për projekte shqiptare te sektori i botimeve në qoftë se shkojmë me lista, me emra, me librat, me cd-të, me veprimtari shkencore, me revista shkencore është afër 130 projekte shqiptare", tha Muzafer Bislimi, Sekretar Shtetëror për Kulturë
Ai gjithashtu thekson se akoma ka hapësirë që përmes ankesave, ky program edhe më tej të korrigjohet, dhe të rritet hiseja shqiptare në të. Benjamin Arifi