Edhe pse u desh një kohë e gjatë për vendosjen edhe në shqip të tabelave në Kodrën e Diellit, ato nuk patën fatin të qëndronin gjatë. Tabelat me mbishkrimet shqip që tregonin për këtë pikë turistike, parkingun etj, janë shkulur nga era, ndërkohë që përgjegjësi i tyre, komuna e Tetovës, nuk ka ndërmarrë asnjë aksion deri tani për rikthimin e tyre. Ekipi i televizionit Alsat-M, sot tentoi të merrte prononcim nga Komuna e Tetovës lidhur me problemin në fjalë, megjithatë nuk arriti të vihej në kontakt me zëdhënësin e saj. Përmes telefonit na u përgjigjën se do të japin prononcim gjatë ditëve në vazhdim. Në Kodrën e Diellit, deri para tri javësh ka pasur gjithsej 5 tabela në gjuhën shqipe, ndërsa tani kanë mbetur vetëm dy, edhe ato të shtrembëruara nga era.
"Përndryshe sipas disa informatave jo zyrtare që morëm nga disa dëshmitarë të Kodrës së Diellit, ata pohojnë se këto tabela që caktojnë zonën e parkimit, çmimin dhe orarin e parkimit, janë vendosur jo-ligjërisht".
Drejtuesit e Kodrës së Diellit, thonë se këto tabela nuk janë në kompetencat e tyre, e madje, ato nuk duhet të jenë fare aty, sepse në atë lokacion nuk ka vend për parkim. Bashkim Sulejmani