Qeveria e Maqedonisë për të disatën herë trumbeton se është gati për të hapur vend-kalimin kufitar Bellanocë-Stançiq por duke lënë në harresë rrugën e cila të shpie deri në këtë pike kufitare. Fati i ndërtimit të kësaj rruge mbetet vetëm në letrat e Agjencisë për Rrugë. Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha deklaroi sërish sot, se gjatë këtij viti, përfundimisht rruga do të ndërtohet pasi edhe në seancën e fundit të Qeverisë ishin ndarë para për Agjencinë e Rrugëve, që do të kryejë punimet.
"Me marrëveshjen e cila do të nënshkruhet nga të dy vendet, parashihet që vendet nënshkruese të marrëveshjes të kenë obligim ndërtimin e infrastrukturës rrugore deri në vendkalimin kufitar. Në Agjencion sa i përket pjesës së Maqedonisë, në programin e Agjencionit për Rrugë, për vitin 2013 ka hy ndërtimi dhe rekonstruimi i rrugës që shpie deri në vendbanimin Bellanocë", deklaroi Muhamet Hoxha -- Zëdhënës i Qeverisë.
Zëdhënësi Hoxha gjithashtu njoftoi se Qeveria gjatë seancës së saj të fundit ka miratuar tekstin e harmonizuar të marrëveshjes në fjalë që do të firmoset mes Maqedonisë dhe Kosovës.
"Në të njëjtën seancë Qeveria e Maqedonisë ka autorizuar Ministren e Punëve të Brendshme dhe pas nënshkrimit, e njëjta marrëveshje do të ratifikohet nga të dy vendet dhe do të hyjë në fuqi. Njëkohësisht me të njëjtën marrëveshje parashihet edhe formimi i një komisioni të përzier në mes të dy vendeve që do të definojë edhe pikën ku do të ngrihet ndërtesa e përbashkët e kalimit kufitar mes dy vendeve si dhe pikat tjera që karakterizohen për hapjen e një vendkalimi kufitar", u shpreh Muhamet Hoxha -- Zëdhënës i Qeverisë.
Kështu, ndërsa qeveria mjaftohet me pëlqimin e marrëveshjes, asgjë nuk është gati për hapjen e kësaj pike kalimi kufitar, marrëveshja për të cilin ka më shumë se 3 vjet korridoreve të dy qeverive. Nga pala kosovare janë kati prej më shumë se një viti, dhe aksi rrugor për hyrje në Kosovë është i asfaltuar. Po ashtu, askund nuk është as objekti i përbashkëti në këtë pikë kalimi, i cili do të ndërtohet me paratë e siguruara nga fondet IPA 2. Valmir Kuçi