Bejta: Nuk kthehem në ministri, pavarësisht epilogut të zgjedhjeve

2015-08-21 1

Pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e ardhshme lokale, Nevzat Bejta nuk do të kthehet në postin e Ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Këtë e ka konfirmuar vetë Bejta për Alsat M, duke shtuar se megjithatë, kryesia e partisë është ajo që do të thotë fjalën e fundit.

"Unë nuk do lejojë që të jem udhëheqës në dy pozicione. Tani aktualisht jam ministër i Vetëqeverisjes Lokale dhe demokracia e kërkon që unë të mos jem në dy pozicione. Pasi është zyrtarizuar kandidatura ime për kryetar të mundshëm të Komunës së Gostivarit, unë nuk do jem ministër i Vetëqeverisjes Lokale, pa marrë parasysh se si do zhvillohen zgjedhjet dhe si do votojnë qytetarët. Qoftë me fitoren time në Komunën e Gostivarit, qoftë pa të, unë nuk do të kthehem në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Sa i takon dorëheqjes, për atë do të vendosë kryesia e BDI-së", deklaroi Nevzat Bejta, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale

Në opinion qarkullojnë emra të ndryshëm si zëvendësues të mundshëm të Nevzat Bejtës në detyrën e Ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Më i përfoluri është Hazbi Lika, i cili mbeti jashtë loje për kryetar të Komunës së Tetovës. Bejta thekson se kjo do të jetë çështje diskutimi në kryesinë e partisë pas zgjedhjeve lokale. Ai nuk përjashton edhe mundësinë për ri-formatim të Qeverisë dhe ndërrimin e resorëve.

"Për atë besoj që do vendos kryesia qendrore. Nuk janë gjëra statike dhe nuk do të thotë se unë shkoj nga pozicioni i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Bisedat e nivelit më të lartë i zhvillon lideri i partisë. Mund të ketë edhe rikonstruim të Qeverisë, mund të ketë edhe ndryshim të ministrive. Mundet që BDI të marrë edhe ministri të tjera, dhe unë nuk mund të them se gjërat do të shkojnë ashtu siç janë! Pas zgjedhjeve lokale mund të ketë edhe ndryshime në pozicionet e ministrive", tha Nevzat Bejta, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Ndërkaq zv/kryeministrja për euro-integrime Teuta Arifi edhe sot nuk deshi të komentojë largimin e mundshëm nga Sekretariati për Çështje Evropiane, pas zyrtarizimit të kandidaturës për Komunën e Tetovës. Bejta dhe Arifi janë dy nga tre nënkryetarët e BDI-së të cilët do të garojnë në betejë lokale, bashkë me Izet Mexhitin, kandidatin e vetëm që do të luftojë për mandatin e tretë në këto zgjedhje. Benjamin Arifi