Maqedoni-Kosovë, marrëveshje për pensionet

2015-08-21 2

Qytetarët e Maqedonisë që kanë punuar në Kosovë deri në fund të vitit 1998, do të mund të rregullojnë stazhin dhe të marrin pension në Maqedoni. Qytetarët duhet që të plotësojnë një formular pranë Fondit për sigurim pensional dhe invalidor, dhe më pas, dokumentet e tyre do të ndiqen në mënyrë zyrtare nga vetë institucionet.

"Në mënyrë zyrtare iu drejtohemi autoriteteve kosovare që ato të na përgjigjen në formë të shkruar për stazhin të cilin ai qytetar e ka realizuar në Republikën e Kosovës. Pas marrjes të informacionit ose përgjigjes me automatizëm ne e pranojmë atë stazh dhe si Fond pensional i Maqedonisë ia mundësojmë atij qytetari të Maqedonisë që ta arrij të drejtën e pensionit dhe I paguajmë pension", deklaroi Bekim Neziri, drejtor i FSPIM-së.

Megjithatë, qytetarët do të mund të marrin vetëm pensione pleqërie dhe familjare. Marrëveshja mes dy vendeve nuk përfshin edhe pensionet invalidore. Një pension i tillë, sipas autoritetet e Maqedonisë, do të bëhet përpjekje të përfshihet në marrëveshjen e ardhshme. Po ashtu, marrëveshja nuk përfshin periudhën pas vitit 1998, e cila do të rregullohet në mënyrë shtesë.

"Pensionet ose stazhi që duhet të pranohet është deri më 31.12.1998 kjo bëhet pasi që ne e dimë se deri atëherë funksiononin institucionet kosovare në sferën e realizmit të të drejtave pensionale pas asaj ishte lufta në Kosovë dhe tërë dokumentacioni ose tërë arkivin nuk e posedojnë institucionet kosovare por e posedojnë institucionet serbe. Në këtë drejtim ne kemi marrëveshje të nënshkruar me Republikën e Serbisë për qytetarët të cilët kanë arritur të drejtën pas këtij viti, ne i drejtohemi institucioneve serbe për informacione plotësuese", tha Bekim Neziri, drejtor i FSPIM-së.

Mundësia e tillë pritet që së shpejti të jetë realitet. Ajo është harmonizuar tashmë, palët kanë dhënë pëlqimin, dhe vetëm pritet zyrtarizimi.

"Këtë marrëveshje, Qeveria e konfirmoi, dhe më autorizoi si ministër kompetent ta nënshkruaj. Pritet që tani nga pala kosovare, ajo të verifikohet gjithashtu, në seancën e tyre qeveritare, të autorizojnë një nënshkrues dhe ta finalizojmë këtë marrëveshje. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale i Kosovës Nenad Rashiq, qëndroi në Maqedoni dhe në bazë të këtij takimi bilateral u finalizua teksti i kësaj marrëveshjeje, e cila do të jetë e ndryshme nga të tjerat, pasi pritet që të formohen disa institucione të caktuara. Nuk do të spekuloja me data, në kushte kur presim përgjigje nga pala tjetër, por besoj se do të jetë shpejtë, pasi është edhe në interes të Kosovës që të hyjë sa më shpejt në fuqi", u shpreh Spiro Ristovski, ministër i Punës dhe Politikës Sociale.

Në Fondin për Sigurim Pensionist dhe Invalidor presin që rreth 1000 shtetas të Maqedonisë që kanë punuar në Kosovë deri në vitin 1998, të kërkojnë rregullimin e stazhit të punës. Natasha Stojanovska