Shoqata e gazetarëve të Maqeodonisë (SHGM) nuk heq dorë nga kërkesa e saj për zbardhen e incidentit më 24 Dhjetor, dhe autoritetet qeveritare e kuvendi të pranojnë përgjegjësinë e tij. Naser Selmani thekson në një intervistë për Europën e Lirë, se nëse autoritetet shtetërore i shmangen sërish, atëherë fjalën do e ketë gjykata në vend, ose ajo ndërkombëtare. Selmani nuk përjashton mundësin që paralelisht me procesin gjyqësor të shfrytëzohen edhe forma të tjera demokratike të shprehjes së pakënaqësisë kundër qeverisë, si bojkot dhe protesta.
"Po, jemi të pakënaqur, dëshirojmë të shprehim pakënaqësinë dhe kërkojmë përgjegjësi por ajo të jetë në mënyrë dinjitoze në kuadër të institucioneve dhe pa mëdyshje. Ne, këtë betejë nuk do ta ndërpresim këtu. Do t'i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ndërsa të tillë ka shumë për ta ndjekur drejtësinë", u shpreh Naser Selmani, kryetar i SHGM.
Ngjarjet e 24 dhjetorit dëshmojnë se në Maqedoni nuk respektohet liria e të shprehurit, e garantuar me Kushtetutë, e po ashtu, u tregua edhe raporti i vërtetë i institucioneve ndaj mediave. Kryetari i SHGM-së arsyeton edhe vendimin e ndërprerjes së negociatave me Qeverinë, të cilat janë të pamundura deri në zbardhjen e incidentit të 24 Dhjetorit.
"Imagjinoni, çfarë negociatash do të ishin ato, pas tërheqjes zvarrë të gazetarëve në galerinë e parlamentit, si do t'i shikonim në sy njerëzit të cilët ndoshta janë pjesë ose kanë qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e tillë ...Në fund të fundit në mars apo prill, qeveria është ajo e cila duhet të shkojë në Bruksel dhe t'u sqaroj diplomatëve se çfarë ndodhi dhe si mendon të ballafaqohet me këtë situatë, si mendon ta përmirësojë këtë gjendje. Si mendon qeveria t'i bind ndërkombëtarët, se vazhdon ende të synojë integrimin në BE", tha Naser Selmani, kryetar i SHGM.
Sipas Selmanit, është e pamundur që qeveria të hartojë skenarë shfajësimi, pasi ngjarjet e 24 Dhjetorit janë më se transparente, dhe media nuk mund të fajësohet kurrsesi. Gjyltene Rexhallari