E gjitha bota festoi mbrëmë ardhjen e Vitit të Ri me fishekzjarrë dhe festime të ndryshme. Në Kosovë, festa bëri bashkë familjarë dhe miq, ndërsa në sheshin e Prishtinës, dhe qytete të tjera u ndezën fishekzjarrë të shumtë, nën tingujt e aktiviteteve muzikore, të organizuara nga Komuna e Prishtinës. Festime edhe në Tiranë, veçanërisht në Sheshin Qendror 'Nënë Tereza' ku ishte vendosur edhe pema e Vitit të Ri . Por, kjo natë mori edhe një viktimë për shkak të përdorimit edhe të armëve në festime. Një 24 vjeçar nga Kruja, u vra pas rënies së një plumbi qorr në kokë. Ndërkaq, fëmija i parë i lindur në Shqipëri, është vajzë, me emrin Fjona, ndërsa në Kosovë, djalë me emrin Edi. Urimi ka qenë i përbashkët, kudo nëpër botë, Gëzuar Vitin e ri, edhe pse në gjuhë të ndryshme. Në Nju Jork, rreth 1 milion njerëz, turistë dhe vendas numëruan njëzëri sekondat e fundit në pritjen e vitit të ri, dhe vezullimin e globit të kristaltë prej 6 tonësh e plot drita mbi kokat e tyre, me numrin "2013". Në Londër, fishekzjarrët ndriçuan qiellin, kur ora e Big Benit tregoi ardhjen e Vitit të Ri. Edhe nëpër botë, festimet nuk kanë kaluar pa incidente. Në Serbi, pija e gëzimit është shoqëruar me sherre. 7 persona janë therur me thikë, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ndërsa në Filipine, të shtënat festive kanë vrarë një djalë katër vjeç në Filipine. Spektakli me fishekzjarrë ka qenë më dramatik në Bregun e Fildishtë, ku ka shënuar 60 viktima. Ndërsa qytetarët e trullosur nga pija dhe festa qëndrojnë në shtëpi, ekipet komunale të pastrimit të qyteteve i janë përveshur punës për të kthyer rrugët në gjendjen e tyre normale. . Alsat-M