Tetova e bllokuar nga parkimi i pakontrolluar i makinave

2015-08-21 5

Parkimi vend e pa vend i veturave i ka bërë thuajse të pakalueshme rrugët në qytetin e Tetovë. Nëse nuk ndërmerren masa urgjente situata mund të rëndohet edhe më shumë tani në prag të festave të fund-vitit kur dihet se pranë familjeve të tyre kthehet edhe një numër i madh i mërgimtarëve. Pamjet që regjistroi ekipi i televizionit Alsat-M, tregojnë se angazhimi i Sektorit të Punëve të Brendshme dhe i Komunës nuk është në nivelin e duhur. Për problemin në fjalë, kreu i policisë rrugore të Tetovës Irfan Bexheti, ka akuzuar komunën e Tetovës, e cila sipas tij, duhet të angazhohet më tepër me shërbimin e quajtur "Merimanga" dhe pastrimin e rrugëve.

"Nga ana e SPB-së së Tetovës, siç përmenda disa herë janë mbajtur mbledhje me masa dhe propozime konkrete ndaj Komunës së Tetovës për mënjanimin e mangësive që na paraqiten, por deri më tani nga ana e komunës nuk është ndërmarrë asgjë konkrete sa i përket pastrimit të rrugëve, parkingjeve të hapura që edhe kjo na paraqitet si problem se veturat nuk kanë ku parkohen dhe parkohen nëpër rrugë. Muajin e fundit edhe shërbimi merimangë i Tetovës nuk është në funksion për arsye teknike dhe kjo na shkakton problem shtesë për funksionimin pa ndalesë të trafikut dhe të bëhet një trafik paksa më i sigurt", tha Irfan Bexheti, kryeshef i policisë rrugore.

Nga ana tjetër, në Komunën e Tetovës kanë hedhur poshtë këto akuza, duke potencuar se, rregullimi i komunikacionit dhe moslejimi i veturave të parkohen në vendet joadekuate është ingerencë e Policisë dhe jo e komunës. Ndërsa për ti pastruar mirë rrugët, ata kërkojnë që fillimisht të intervenojë policia me largimin e veturave që të mundë kamionët e pastrimit të bëjnë punën e tyre.

"Sa që e dimë ne dhe gjithë qytetarët policia është ajo që duhet të përkujdeset për parkimin e rregullt të veturave me çka edhe njëherë apelojmë te policia që të intervenojnë dhe të jenë më aktiv në rastet kur bëhet parkim jo i rregullt. Sa i përket merimangës së qytetit e njëjta ka punuar por shkaku i kushteve klimatike dhe për ca ditë është ndaluar funksionimi i saj, por, po ashtu edhe puna e merimangës shkon në koordinim me policinë e qytetit", u shpreh Faton Murseli, Zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Ndërkohë, qytetarët edhe pse nuk duan të shprehen para kamerave, ata thonë se pamjet nëpër rrugët e Tetovës janë të turpshme dhe pa marrë parasysh ingerencat, rrugët duhet të jenë të kalueshme sepse nëpër to lëvizin edhe rastet e urgjencës dhe shërbimi i zjarrfikësve.

Bashkim Sulejmani