RDK, mban kongresin e parë të partisë

2015-08-21 0

Nën moton 'Për një rilindje të vërtetë' RDK-ja e Rufi Osmanit zhvilloi sot kongresin e parë të partisë. 600 delegatët e kësaj partie miratuan programin, statutin e partisë si dhe organet e saj, përfshi edhe rikonfirmimin e kryetarit të partisë.

"Unë si kryetar i deritashëm i RDK-së jam i bindur se ky kongres do verifikojë rrugën e deritanishme të RDK-së dhe do t'i japë një impuls të ri rritjes së performancës politike dhe kuadrovike të RDK-së, dhe pas këtij kongresi ne do dalim më të fuqishëm dhe më të organizuar", deklaroi Rufi Osmani, kryetar i RDK-së.

Në konferencën për mediat, Osmani rikonfirmoi edhe njëherë kërkesën për formimin e një qeverie teknike dhe sidomos tani, pas dështimit të marrjes së datës së Negociatave. Qeveria e koalicionit me bazë të gjerë sipas tij, është mundësia e vetme e daljes nga kriza të Maqedonisë.

"Janë pjekur kushtet që vendi të ketë një qeveri gjithëpërfshirëse e cila do të marrë dy përgjegjësi bazike. Të zgjidhë problemin me emrin me Greqinë, po ashtu të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike, po ashtu të tejkalojë edhe problemin e buxhetit dhe trajtimit të viktimave të 2001-shit, në të kundërtën nëse vazhdohet me arrogancën politike të partisë maqedonase të ndjekur edhe nga ajo shqiptare, vendi hyn në një krizë të thellë institucionale për çka është vështirë të vlerësohet se ku do përfundojë. Kushtetuta aktuale e Maqedonisë është gjenerator i krizës dhe tashmë janë pjekur kushtet që maqedonasit të bien dakord për një ridefinim paqësor të statusit politiko-juridik të shqiptarëve", u shpreh Rufi Osmani, kryetar i RDK-së.

Në Kongresin e sotëm të RDK-së kishin ardhur edhe përfaqësues të partive politike nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe përfaqësues të BDI-së dhe DR-së. Bashkim Sulejmani

Free Traffic Exchange