Është bërë më shumë se 1 muaj që Komisioni i përbashkët për shqyrtimin e hapësirave ligjore në ligjin për arsim fillor ka përmbyllur raportin, por konkluzionet e tij ende mbeten në qeveri për shqyrtim. Zv/ministri i Arsimit Safet Neziri bëri të ditur se konkluzionet dhe rekomandimet e këtij komisioni janë dorëzuar nga Ministria në Qeveri, ku pritet që të pasojë me një propozim-ligj të mundshëm për ndryshim dhe plotësim të ligjit për arsim fillor. Një lëvizje e tillë do t'i jepte fund oreksit të krerëve të komunave, që zakonisht kanë marrë vendime jo adekuate për hapjen ose mbylljen e paraleleve, si në shqip ashtu edhe në maqedonisht, në arsimin fillor.
"Ne si ministri e Arsimit, definitivisht e kemi përgatitur dhe e kemi lëshuar në procedurë qeveritare, janë ato hapërimet apo procedurat të cilat deri sa shkon në komisionet qeveritare, priten për një kohë të caktuar kohore, në të cilën besoj se do të përfundojë me sukses ky informacion. Veç më kemi paraparë ndryshime dhe plotësime të ligjit për arsim fillor, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me kombinimin e paraleleve, deri te cili numër mund të bëhet kombinimi i paraleleve, me dy, me tre paralele, apo tre programe në një klasë", deklaroi Safet Neziri, zv/ministër i Arsimit.
Për sa i përket ndërprerjes së procesit mësimor në disa shkolla fillore për shkak të mungesës së naftës për ngrohje, Neziri tha se u mbetet komunave që të menaxhojnë situatën, pas derdhjes së bllok-donacioneve në arkën e tyre nga Qeveria. Neziri theksoi se të gjitha orët e humbura të mësimit do të zëvendësohen doemos.
"Mjetet janë ato të cilat zakonisht shpërndahen me blok dotacione, përveç asaj, me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe me miratim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë ju kemi lejuar komunave derivate të naftës në numër të konsiderueshëm në bazë të numrit të nxënësve që i kanë nëpër shkolla. Tash ka mbetur që ajo pjesë të menaxhohet nga ana e komunave për ta shfrytëzuar atë që ne i kemi dhënë si qeveri dhe si MASH. Tash ato shkolla të cilët nuk kanë pasur nxehje, themeluesi, respektivisht komuna duhet ta menaxhojnë këtë gjendje. Ato ditë të cilët kanë qenë të humbura, me doemos duhet të plotësohen ato orë", u shpreh Safet Neziri, zv/ministër i Arsimit.
Këto komente Neziri i bëri gjatë prezantimit të projektit për arsim të integruar "Të mësojmë së bashku". Benjamin Arifi