Situatë e tensionuar në Kuvend. LSDM-ja opozitare vazhdon të mbajë të bllokuar punën e komisionit Juridiko-ligjvënës.
Një situatë e tillë erdhi pasi zhvillimeve të fundit në kuvend rreth projekt buxhetit për vitin 2013 dhe kulmoi me huan prej 100 milion eurosh. Sipas LSDM-së, qeveria në vend që të pranoj propozimin e opozitës për kursim, përkundrazi mori borxh tjetër, prej 100 milion euro dhe atë në një ditë, në mënyrë të fshehtë, në ankandin e jashtëzakonshëm për letra shtetërore me vlerë, pa ndonjë paralajmërim.
"Këto të pushtetit e kaluan çdo limit. Ndërsa ne bisedonim, ata në mënyrë të fshehtë jo që nuk e zvogëluan luksin dhe harxhimet e tyre por morën hua, besoni ose jo, 100 milion euro....Kjo që po bëjnë është definitivisht e pakuptimtë dhe po e shndërrojnë Maqedoninë në shtet të ngjashëm me Greqinë, veçmë kemi hyrë në skenarin grek. Shihet qartë se këta njerëz të pushtetit definitivisht kanë për qëllim ta falimentojnë gjithë shtetin... Dhe për këtë shkak, përgjigja e djeshme, e sotmja dhe e nesërmja do të jetë se ata janë hajdutë, dhe nuk do t'i lejojmë që të vazhdojnë të vjedhin paratë e qytetarëve të Maqedonisë", deklaroi Igor Ivanovski, LSDM.
Ndërkohë lideri i PRSD-së Tito Petkovski ka kërkuar takim liderësh si mekanizmin e vetëm për zhbllokimin e situatës së krijuar nga projekt buxheti. Ditë më parë me të njëjtën ide doli edhe RDK-ja e Osmanit.
"I bëj thirrje që të ndërpresin këtë çmenduri që po ndodhë, para së gjithash në partinë e tij dhe në Kuvend. Kuvendi është tempull i demokracisë, ka qenë dhe patjetër duhet të mbetet ashtu. Këtu duhet të ketë mundësi për rrjedhën e ideve demokratike dhe civilizuese por jo edhe të dhunës. Dhunën që bën ai, dhe ai që e imponon, ka për obligim ta ndalë, ta ndërpresë, dhe i bëj thirrje që të thërrasë menjëherë takim liderësh të të gjitha partive parlamentare. T'i jepet fund këtij shkatërrimi të shtetit", tha Tito Petkovski, PRSD.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja e cilësojnë situatën e krijuar në kuvend, si frikë nga ana e LSDM-së për zgjedhjet lokale të marsit.
"VMRO-DPMNE i bën apel LSDM-së, që këtë situatë që shkakton në Kuvend, me ofendime, me tentime për sulme fizike, me kërcënime, me keqpërdorim të komisioneve kuvendore, ta ndërpresin për shkak se po shkaktojnë shqetësim tek të gjithë ne dhe tek qytetarët e Maqedonisë. Kjo, deri tani në këto 20 vite, nuk ka pasur ndodhur asnjëherë. Kjo është shprehje e dobësisë dhe e frustrimeve që ka kreu i LSDM-së për shkak se nuk ka ide, nuk ka program dhe nuk di si të kthehet në pushtet", deklaroi Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
Drama në Kuvend rreth projekt/buxhetit pritet të vazhdojë edhe gjatës ditës së nesërme, deri të hënën kur është parashikuar seanca e rregullt e parlamentit ku mbetët të shihet nëse drafti i buxhetit të ri, do të futet apo jo në rend dite. Bedri Rexhallari