Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti hodhi poshtë pretendimet e opozitës se kodi zgjedhor nuk përfshin asnjë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR. Sipas Bexhetit kodi zgjedhor i cili para pak kohësh u miratua në kuvend edhe pse pa votat e opozitës, është i harmonizuar me të gjithë rekomandimet e institucioneve relevante. Numri 'një' i drejtësisë madje u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike që të japin kontributin e tyre në kuadër të grupit punues në Ministrinë e Drejtësisë i cili duhet të nis përgatitjet edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.
"Rekomandime ka të GREKO, OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Edhe opozita thirret në këto rekomandime, sepse nuk ka rekomandime të tjera në Maqedoni, rekomandimet janë të njëjta edhe për pozitën edhe opozitën, dhe unë si Ministër i Drejtësisë i thërras të gjitha paritë politikë qofshin të pozitës apo opozitës që të japin kontributin e tyre në grupin punues në Ministrinë e Drejtësisë që të gjithë së bashku gjithnjë e më tepër çdo rekomandim të arrijmë të implementojmë, duke qenë pjesë aktive e grupit punues", deklalroi Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë këto komente i bëri sot në ceremoninë e betimit të pesë përmbaruesve të ri. E në kohën kur numri i përmbaruesve në nivel kombëtar ka arritur në 97, vetëm një preh tyre është shqiptar. Sipas ministrit Bexheti mungesa e shqiptarëve në këtë fushë është si pasojë e mosinteresimit të tyre për këtë profesion.
"Kjo është si rezultat i mospasjes së interesuarve për këtë profesion. Në vazhdimësi është bërë apel që përfaqësues të gjitha etniteteve të jenë pjesë e këtij profesione, por fatkeqësisht deri më tani ende interesimi është i dobët" , tha Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.
Nga Ministria e Drejtësisë gjithashtu njoftuan se në nivel kombëtar janë paraparë që të funksionojnë 132 seli përmbaruesish. Semra Jakupi