Maqedonia mbetet në misionin 'Isaf'

2015-08-21 0

Maqedonia do të vazhdojë angazhimin e saj në Afganistan edhe pas përfundimit të Misionit të NATO-s, 'ISAF' në vitin 2014. Kështu u shpreh Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi duke shtuar se një vendim i tillë i Maqedonisë rikonfirmon se vendi është i gatshëm të ndihmojë trupat e NATO-së si në misione ushtarake, ashtu edhe në misione paqësore, sikurse në Afganistan pas vitit 2014.

"Qëndrimi i Maqedonisë është se Maqedonia do të vazhdojë të kontribojë për paqen në Avganistan sëbashku me vendet tjera anëtare të NATO-së, gjegjësisht siç është edhe parimi, 'sëbashku në, sëbashku jashtë' Maqedonia do të vazhdojë kontributin e saj dhe ne tani po i bëjmë përgatitjet ashtu siç është edhe planifikimi në kuadër të NATO-së se cila do të jetë forma e kontributit që do japë NATO atje, ashtu edhe ne po bëjmë përgatitje se cili do të jetë kontributi që Maqedonia do të japë për popullësinë në Avganistan, gjegjësishtë për paqen në Afganistan", tha Fatmir Besimi, Ministër i Mbrojtjes.

Ambasadori amerikan në Maqedoni Poll Uollers tha se vendimi i Maqedonisë që të mbetet në Afganistan edhe pas vitit 2014 është një hap pozitiv dhe sinjal që tregon se Maqedonia po ecën krahë për krah me shtetet antare të NATO-së.

"Ne jemi shumë të kënaqur të dëgjojmë se Maqedonia është e gatshme të vazhdojë misionin e saj në Afganistan edhe pas Misionit të NATO-së ISAF, që përfundon në vitin 2014 dhe të ofrojë ndihmën e saj për misionet trajnuese që do të nevojiten pas vitit 2014 në Afganistan. Ky është një hap pozitiv nga ana e Maqedonisë. Mendoj se vendet e Kartës A5 kanë dëshmuar suksesin e tyre ashtu siç vepruan edhe në Afganistan, dhe mendoj se do të vazhdojnë të jenë me ne", u shpreh Poll Uolers, ambasador i SHBA-ve në Maqedoni.

Komentet u bënë gjatë Konferencës rajonale "Post-ISAF angazhim rajonal, leksione të mësuara dhe trashëgimia për shtetet e kartës A-5 në misionet e ardhshme". Konferenca kishte për qëllim të ofronte zgjidhje efektive si dhe rekomandime për vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të zhvillimit të ardhshëm të post-ISAF angazhimit rajonal. Valmir Kuçi