Është inauguruar sot solemnisht në Tetovë, konservimi i jashtëm i Xhamisë së Larme të Qytetit, projekt ky i financuar me 94.000 dollarë amerikan nga fondi ambasadorial i ambasadorit Uolers dhe 500.000 denarë mjete të Ministrisë së kulturës. Konservimi i Xhamisë së Larme ka filluar para një viti e gjysmë dhe është projekti me fond më të madh në Evropë të ndara nga fondet ambasadoriale të ambasadorëve Amerikan.
" Jam shumë i kënaqur që jam sot këtu në inaugurimin e xhamisë së Larme të Tetovës. Më kujtohet se vetëm tri ditë pasi arrita si ambasador këtu në Maqedoni në një ditë të nxehtë, ndryshe nga kjo e sotmja u takuam me ministren për të nënshkruar kontratën për investim në këtë objekt të bukur. Pas 15 muajsh, kam kënaqësinë që të vij këtu sërish t'ju takoj juve dhe të shohim bashkë rezultatet e këtij projekti të rëndësishëm", u shpreh Pol Volers, Ambasador i SHBA-ve në Shkup.
"Ky është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe për këtë arsye Ministria e Kulturës, i kushton kujdes të veçantë këtij objekti me çka në periudhën e kaluar në disa raste është trajtuar nga institucionet tona", theksoi ministrja e kulturës Elizabeta Kamçevska Milevska.
Kreu i Komunës së Tetovës Sadi Bexheti ka falënderuar ambasadorin amerikan në Shkup, për përkrahjen që jep ai për ruajtjen e monumenteve kulturore në vend.
"Gjatë tërë kohës ambasada amerikane ka treguar një përkujdesje të veçantë ndaj monumenteve kulturore si vlerë e padiskutueshme e përbashkët me ministrinë e kulturës. Më lejoni të shfaq mirënjohjen më të thellë për këtë investim", tha Sadi Bexheti, kryetar i Komunës së Tetovës.
Në fund, për investitorët u ndanë edhe makete të xhamisë së larme të Tetovës, në shenjë rikujtimi për ndihmën që dhanë në ruajtjen e këtij objekti kulturorë. Bashkim Sulejmani