Greva, mjekët presin takimin me Gruevskin

2015-08-21 2

"Pajisjet e shtrenjta në shëndetësi janë të pavlefshme, nëse mjekët paguhen pak"-kjo është përgjigja e këshillit grevist nga spitali i qytetit "8 Shtatori" ndaj deklaratës së kryeministrit Nikolla Gruevski. Për rrogën sipas kontributit, ata thonë se pacientët nuk janë objekte prodhimtarie që të numërohen, por nevojitet intervenim cilësor i cili në mënyrë të drejtë do të vlerësohet.
"Përveç projektit, ne tërë kohën flasim edhe për rrogat e punonjësve shëndetësor. Pajisjet e shtrenjta janë të pavlerë pa pagesën përkatëse të mjekëve dhe punonjësve shëndetësor, vlerësim dhe respekt përkatës ndaj tyre", deklaroi Antonio Antovski, nga Këshilli grevist "8 Shtatori"
Nga Sindikata e pavarur e Qendrës Klinike thonë se anomalitë e pagesës sipas kontributit sjellin deri te ajo që mjekët të punojnë jashtë standardeve të pranueshme.
"Unë besoj se kryeministrit nuk i është prezantuar gjendja reale dhe situata e vërtetë në shëndetësi, sidomos në pjesën e implementimit të këtij modeli. Që kur është zbatuar modeli i pagesës sipas kontributit, ka prodhuar shumë anomali që reflektohen edhe tek mjekët edhe tek pacientët, e që më në fund ndikon edhe në cilësinë e shërbimit mjekësor", tha Dejan Stavriq, kryetar i SPQK.
Mjekët nga Sindikata e pavarur e Qendrës Klinike janë në grevë tashmë 27 ditë dhe përsërisin se nëse modeli nuk ndryshohet, numër i madh i specialistëve do të braktisin shëndetin publik. Kryeministri Gruevski dje deklaroi se do i pranojë mjekët në takim. Bojana Simonoviq