Evropë, 35 të vdekur nga stuhia e dëborës

2015-08-21 2

Së paku 35 persona humbën jetën në Evropë si pasojë e stuhisë së fuqishme të borës gjatë fundjavës dhe ditës së sotme. Në Zvicër gjatë një orteku mbrëmë humbën jetën 11 persona. Ndërkohë, në Evropën Juglindore janë regjistruar reshjet më të dendura të borës gjatë dekadave të fundit për këtë pjesë të vitit. Shtatë persona humbën jetën nga ngrirja në Çeki gjatë fundjavës, pasi temperaturat u ulën në minus 27 gradë. Dhjetë viktima ka edhe në Poloni. Së paku shtatë persona humbën jetën për shkak të kushteve ekstreme kohore edhe në Kroaci, Mal të Zi dhe BeH. Reshjet e dendura të borës dhe era e fuqishme e vështirësuan komunikacionin ajror në mbarë Evropën.

Në Serbinë fqinje dy persona humbën jetën për shkak të ftohtit dhe stuhisë së fuqishme. Rreth 600 persona ishin të detyruar të kërkojnë ndihmën e shpëtimtarëve nëpër rrugë për shkak se kishin mbetur të ngujuar me automjetet e tyre. Në shumë vende thellësia e borës është 45 centimetra, ndërsa në disa vende bora arrin edhe dy metra. Një pjesë e fshatrave malore ndërmjet Beogradit dhe Vranjës janë tërësisht të shkëputur nga bota. Ushtria tashmë reagoi në disa raste bashkë me shërbimet komunale në pastrimin e rrugëve.

Dimër i ashpër edhe në Amerikën Veriore

Bora para krishtlindjeve mbuloi edhe disa pjesë të Perëndimit të mesëm amerikan. Stuhia e borës e shoqëruar me erë të fuqishme dhe temperatura të ulëta fuqishëm i goditi shtetet Dakota, Minesota dhe Viskonsin. Nëpër rrugë janë regjistruar disa aksidente, ndërsa situata do të përkeqësohet për shkak se meteorologët parashikojnë stuhi të reja të borës. Kjo fare nuk i brengos simpatizuesit e sporteve dimërore që tashmë me të madhe e hapën stinorin. Ivan Bllazhevski