Mbetet enigmë takimi i djeshëm Gruevski-Ahmeti!?!

2015-08-21 0

Zëdhënësi i Qeverisë Aleksandar Gjorgjiev sot nuk deshi të komentojë zërat se kumtesa e përbashkët e lëshuar dje nga VMRO-DPMNE dhe BDI pas takimit mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti ka qenë e shkruar shumë më herët, dhe se qëndrimi i tyre ishte tepër protokollial. Askush nuk i di detajet e vërteta të takimit mes dy partnerëve, edhe pse incidentet e fundit të Gruevskit në Tiranë, anulimi i vizitës së Ivanovit, si dhe thirrjet e Berishës në Shkup për bashkim të shqiptarëve, i tendosën më tej marrëdhëniet ndërqeveritare dhe ato ndëretnike në vend. I pyetur sot, zëdhënësit i Qeverisë Gjorgjiev e anashkaloi thelbin e bisedës, duke thënë se kumtesa e djeshme, është mesazh i përbashkët i partnerëve, dhe në të nuk ka asgjë kontestuese.

"Qëllimi kryesor e kumtesës së mbrëmshme të lëshuar nga VMRO-DPMNE dhe BDI si dy parti kryesore në Qeverinë e Maqedonisë është se ajo ishte kumtesë e përbashkët e dy partive, në të cilën ato kanë rënë dakord sa i përket qëllimeve të cilat edhe u lëshuan në vetë kumtesën e djeshme, dhe këtu nuk ka asgjë kontestuese ose diçka që është për tu fshehur", tha Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i Qeverisë.

Ndërkohë, nënkryetari i LSDM-së Gordan Georgiev thotë se kumtesa e djeshme e përbashkët e partnerëve të koalicionit është pafytyrësi. Sipas Georgievit qytetarët e Maqedonisë kanë pritur një takim mes Gruevskit dhe Ahmetit por më së paku kanë pritur, vetëm trakte me angazhime deklarative, pa ndonjë zgjidhje të ofruar për problemet kyçe që ata vetë i kanë krijuar.

"Nëpërmjet kumtesës së djeshme, Gruevski dhe Ahmeti bënë thirrje që të mos keqpërdoren marrëdhëniet ndëretnike nga individë ose grupe, për qëllime ditore politike, duke harruar në këtë mënyrë se ata personalisht me kaosin e përgatitur paraprakisht dhe nacionalizmin e shprehur, janë përgjegjës për problemet aktuale. Në këtë kumtesë thuhej se 'Sovraniteti i Maqedonisë është i paprekshëm' ndërsa Gruevski ishte në ekskursionin qeveritar, kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës në Shkup festuan ditën e flamurit shqiptarë pa të zotin e shtëpisë", u shpreh Gordan Gorgiev, nënkryetar i LSDM-së.

Dje partnerët qeveritar, Gruevski dhe Ahmeti u takuan për të sheshuar zërat dhe qejf-mbetjet e krijuara pas festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në një deklaratë të përbashkët, partnerët nuk i kishin parë dramatike zhvillimet e fundit. Po ashtu, në kumtesën protokolliale ku trumbetoheshin vetëm angazhime për të ardhmen e përbashkët, nuk kishte asnjë rresht për projektligjin e Branitellave që po mban peng krejt politikën në vend. Valmir Kuçi